11:34 / E Hënë, 24 Maj 2021 / OSH

PDK e ndarë në dysh në Istog, ka dy kryetarë dhe dy fraksione

PDK-në Istog nuk i ka punët aspak mirë. Ka kohë që kjo degë është e ndarë në dysh dhe afrimi i tyre duket se është i pamundur.

Madje, PDK në Istog tani ka edhe dy kryetar dege. Pak muaj më parë, Ali Nimanaj ishte zgjedhur kryetar i degës me shumicë votash. Zgjedhja e tij ishte bërë pasi të njëjtit kishin votuar për shkarkimin e ish-kryetarit të degës, Lulzim Shoshi.

Por, nuk ka munguar shumë dhe fronti i Shoshit është kthyer përsëri në skenë. Pak ditë më parë, një pjesë e PDK-së në Istog kanë votuar për zgjedhjen e tij kryetar të degës së kësaj partie në Istog.

Indeksonline ka kontaktuar dy kryetarët e vetkonfirmuar.

“Unë jam kryetar i degës jam zgjedhur në Kuvend të rregullt, janë kanë do përpjekje të do njerëzve që kanë interesa të ngushta, kishe me ba diçka s’kanë mujt. Këshilli drejtuese, me votën e kanë konfirmu atë që po e vazhdojmë qysh jemi kanë dhe jemi në rregull.Me qendër, unë e kam mbështetjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues këtu dhe ajo për neve.
Unë nuk kam asnjë telashe me qendër. Do të fillojmë të mbledhim kryesinë, me nëndegët dhe ne po përgatitemi ngadalë ngadalë të fillojmë fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale”, ka thënë Shoshi për Indeksonline.

Kryetari tjetër i degës, Ali Nimanaj ka thënë se do të deklarohet pasi t’i kryejnë konsultime e brendshme.

“Për momentin nuk mundem me dhanë asnjë përgjigje. Jemi në disa hapa të tjetër të komunikimit të brendshëm që i kemi dhe s’mundem me u përgjigj. Njëherë s’po deklarohemi”, tha ai.

IndeksOnline ka dërguar pyetje edhe në Zyrën për Informim të PDK-së por që deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje në lidhje me këtë situatë./Indeksonline/