PDK e quan mashtrim mocionin e VV-së për rrëzimin e Qeverisë

Zëdhënsi i PDK-së, Avni Bytyçi, e ka cilësuar si joserioze mocionin e Vetëvendosjes ndaj Qeverisë së Hotit, përcjell Ekonomia Online.
“Lajmëtari është shumë më rëndësi në politikë. Nga ai varet edhe serioziteti i palës tjetër për të dhënë e për të pranuar një mesazh. Vetë fakti që sot Lëvizja Vetëvendosje e ka detyruar një deputet anonim që të flasë për mocionin e mosbesimit, që dorën n’zemër as vetë nuk e marrin seriozisht në partinë e tyre, tregon shumë për seriozitetin e kësaj partie politike.
Partia Demokratike e Kosovës është treguar e hapur, e sinqertë dhe mbi gjitha, shumë e drejtpërdrejtë”, ka shkruar Bytyçi në profilin e tij në Facebook.
“Mocioni për rrëzimin e Qeverisë është një mashtrim tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, sepse, ajo nuk e ka seriozisht as rrëzimin e Qeverisë, e as bashkëpunimin opozitar për të zgjidhur problemet e qytetarëve”, shtoi ai.