16:31 / E Mërkurë, 27 Prill 2022 / LB

PDK e quan të çuditshëm propozimin e VV-së për komision hetimor


Partia Demokratike e Kosovës po kërkon nga mazhoranca që nesër ta përkrahin iniciativën e tyre për themelimin e komisionit hetimor për krizën energjetike, ndërsa propozimin e Vetëvendosjes për themelimin e një komisioni hetimor për sektorin e energjisë e konsiderojnë tendencë për ta zbehur iniciativën e opozitës.

Në një konferencë për media deputetja Blerta Deliu-Kodra u shpreh se pozita nuk duhet në asnjë formë ta pengojë themelimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike. Ajo tha se mazhoranca duke e bllokuar këtë proces po dëshmon se po fsheh diçka.

“Kërkojmë që Komisioni Hetimor i cili do të jetë nesër në rend dite të merr përkrahjen e mazhorancës dhe të votohet nga mazhoranca. Nuk besoj se ka çfarë të bllokohet. Bllokada që ka ndodhur gjatë kësaj kohe nga mazhoranca vetëm sa e dëshmon se diçka po fshihet në këtë proces, andaj taksapaguesit e Kosovës meritojnë të informohen se çfarë ka ndodhur me abuzimin me taksat e tyre dhe Qeveria nuk duhet në asnjë formë ta pengojë komisionin hetimor parlamentar”, tha ajo.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj u shpreh se kjo parti e mbështet çdo iniciativë për hetimin e çështjeve, por sipas tij aktualisht iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje është vetëm deklarative dhe nuk ka propozim konkret.

“Lidhur me propozimin e sotëm të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për inicimin e një komisioni hetimor për rrymën për një periudhë që nga shpallja e pavarësisë, unë dëshiroj të potencoj që PDK përkrah çdo iniciativë për hetim të çështjeve dhe personave jo vetëm për energji elektrike, por për të gjitha çështjet që ka nevojë. Dhe këtë jo vetëm nga shpallja e pavarësisë, por që nga paslufta e deri në ditët e sotme. Mbi këtë bazë ne në parim mbështesim iniciativën e LVV-së. Edhe pse duhet të themi se në këtë moment kjo iniciativë është vetëm deklarative meqë grupi jonë parlamentar ende nuk ka parë një propozim konkret të këtij komisioni hetimor dhe të kësaj iniciative të GP të LVV-së. Vetëm kur ta kemi përpara materialin e plotë të kësaj iniciative dhe të këtij komisioni, do të japim mendimin përfundimtar për këtë çështje”, tha Nikaj.

Nikaj tha se komisioni hetimor i iniciuar nga opozita është i ndarë nga ai i pozitës, andaj iniciativa e mazhorancës nuk do ta zbehë opozitën që të vazhdojë me insistimin e saj për themelimin e Komisionit hetimor për menaxhim të krizës energjetike.

“Propozimi i sotëm i GP të LVV është shumë i çuditshëm pasi vjen një ditë para komisionit të propozuar nga opozita. Duke pasur parasysh pengesat e ndryshme të cilat pushteti ka provuar që t’ia vë përpara themelimit të këtij komisioni nga opozita, ky propozim i sotëm ngre dyshimet se është vetëm një tendencë për të zbehur dhe zhvlerësuar iniciativën e drejtë dhe të kamotshme të opozitës për të themeluar dhe hetuar mënyrën e menaxhimit të krizës energjike në muajt e kaluar. E dyta është e jashtëzakonshme se për herë të parë qëkur pozita dhe një grup parlamentar që i cili ka qeverinë dhe ka në duar të gjitha instrumentet e shtetit duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, atë të Punëve të Brendshme, dhe organet tjera të shtetit, përdor organet tjera të shtetit siç janë komisione hetimore që janë zakonisht në dispozicion të opozitës për të hetuar një çështje të tillë… Këto iniciativa nuk do të zbehin dhe dekurajojnë opozitën që të vazhdojë me insistimin e vet për themelimin e komisionit hetimor për menaxhim e të hollave të ndara nga Qeveria muajt e fundit për energjinë por edhe gjithë menaxhimin e krizës energjetike”, tha Nikaj.

Lidhur me atë se nëse do të kalojë propozimi i pozitës, deputetja Blerta Deliu-Kodra u shpreh se mazhoranca nuk duhet ta pengojë propozimin e tyre dhe duhet t’i japë të drejtë këtij procesi hetimor.