14:29 / E Martë, 18 Janar 2022 / A. M.

PDK: Ekzekutivi i Komunës së Shtimes po i mban të fshehur emërimet e drejtorive komunale

Dega e PDK-së në Shtime ka reaguar lidhur me emërimet në ekzekutivin e Komunës së Shtimes. Sipas kësaj Dege, po mbahen të fshehur emërimet e drejtorive komunal.

“Ndonëse pushteti lokal i udhëhequr nga Qemajl Aliu është vonuar në emërimin e drejtorëve komunale ende nuk ka publikur njoftimin zyrtar dhe nuk e ka kompletuar në tërësi emërimin e drejtorive dhe nënkryetarit të Komunës.

Përmes këtij reagimi publik shprehim shqetësimin e kësaj vonese, por edhe më keq emërimin e personave nga komunat fqinje në këtë rast emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Prokurim (i pa çertifikuar) dhe nga komuna e Kaçanikut, Jeton Raka, ish kandidat i VV-së për kryetar.

Kjo qasje tregon jo seriozitet, pa përgjegjeshmëri dhe injorancë e tejskajshme ndaj qytetarit të Shtimes, kur dihet se në komunën e Shtimes ka njerëz mjaft të kualifikuar për t’i dal zot kësaj pune.

Edhe pse ekzekutivi është i ndërtuar mbi bazën e koalicioneve të shumë subjekteve politike në Shtime (LDK, AKR) nuk ka arritur të gjej persona adekuat brenda komunës dhe persona kompetent të kualifikuar dhe kjo nuk vije si pasojë e asaj se në Shtime nuk ka njerez, por qellimi kryesor është rahatimi i militanteve partiak të VV-së.

Qytetari i Shtimes duhet të jetë prioritet i Komunës së Shtimes!