PDK-ja pret kompletimin e KQZ-së
Në kohën kur zgjedhjet e jashtëzakonshme duket se janë të pashmangshme, Partia Demokratike e Kosovës e sheh të domosdoshme kompletimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Aktualisht ky institucion ka 9 anëtarë nga 11 sa prasheh Kushtetuta e Kosovës. LDK-ja dhe Vetëvendosje përfaqësohen me nga 2 anëtarë, por PDK-ja dhe PAN-i në përgjithësi, nuk kanë asnjë përfaqësues. Ish anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Betim Gjoshi ka thënë për Indeksonline se ky institucion duhet të jetë në përbërje të plotë.
“KQZ-ja, si organ kushtetues, për organizimin e zgjedhjeve, për të ofruar transparencën e nevojshme dhe për të siguruar garën e barabartë për të gjitha palët, duhet të jetë në përbërje të plotë, siç e parasheh edhe Kushtetuta (Neni 139, paragrafi 2). Organizimi i zgjedhjeve pa një përbërje të plotë do të zbehë besimin në të”, ka thënë Gjoshi.
Ai ka shtuar se është e domosdoshme që emërimi i anëtarëve të bëhet para zgjedhjeve. “Emërimi i anëtarëve duhet të bëhet para zgjedhjeve, sepse kjo do të ndikonte në rritjen e besimit në të gjithë procesin zgjedhor. Ne presim nga Presidenti që ta kompletojë KQZ-në”, ka thënë ai./Indeksonline/
