75 Mall Live Search
22:28 / E Martë, 14 Tetor 2025 / Burim

PDK-ja pretendon për ndërhyrje të paligjshme në procesin e numërimit në Malishevë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega Malishevë, ka denoncuar Safet Morinën dhe Hafir Rexhën, kandidatët për asamble të Nismës Socialdemokrate, duke thënë se i kanë parë nëpër qendra të verifikimit të fletëvotimeve në këtë komunë.

Në reagimin e kësaj dege, thuhet se “struktura të Nismës dhe portale të afërta me ta po lëvizin lirshëm në hapësira të rezervuara vetëm për komisionerë dhe vëzhgues të certifikuar”.

Reagimi i plotë:

Procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve në Malishevë po rrezikohet!

Në qendrën e verifikimit të fletëvotimeve në Malishevë është vërejtur prezenca e kandidatëve për Kuvend Komunal nga subjekti Nisma Socialdemokrate, Safet Morina, Hafir Rexha, gjë që është rreptësisht e ndaluar me ligj dhe me rregullat e KQZ-së!

Përveç tyre, persona të paautorizuar, struktura të Nismës dhe portale të afërta me ta po lëvizin lirshëm në hapësira të rezervuara vetëm për komisionerë dhe vëzhgues të certifikuar, duke e vënë në dyshim integritetin e procesit zgjedhor.

Kjo është shkelje flagrante, që rrezikon të komprometojë vullnetin e qytetarëve të Malishevës!

Kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme nga KQZ-ja dhe organet përgjegjëse për ta ndalur këtë ndërhyrje të papranueshme dhe për të garantuar numërim të ndershëm, transparent dhe të drejtë.

Vota e qytetarëve është e shenjtë — mos lejoni që të nëpërkëmbet!