PDK, LDK dhe AAK me kërkesë për Kurtin: Duhet të na raportosh para dhe pas secilit takim rreth dialogut me Serbinë

Partitë opozitare, janë duke kërkuar nga ana e kryeministrit Albin Kurti, që për temën e dialogut, të raportojë para deputetëve, në baza të rregullta, mbi ecurinë e këtij procesi.
Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ia ka bërë të qartë kryeministrit Kurti, obligimet siç thotë ai, i ka ndaj deputetëve të Kuvendit.
Gashi thotë se Kurti duhet të raportojë në Kuvend, para dhe pas çdo takimi rreth dialogut me Serbinë.
“Kemi pasur një dakordim ne qeverinë e kalaur që ka lypë vetë Albin Kurti sa ishte në opzitë që kryeminsitri të raportojë në Kuvend para dhe pas çdo takimi që lidhet me dialogun Kosovë Serbi. Këtë Albin Kurti nuk po e respektonë dhe kjo është tjetër shkelje e radhës e tij. është tepër e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të di se çfarë po ndodhë me dialogun me Serbinë dhe po ashtu Kurti duhet të japë llogari për ndryshimin e qëndrimeve, siç janë krimet e luftës, personat e pagjetur dhe kompensimet e dëmeve të luftës”, ka thënë Gashi.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, ka hedhur kritika ndaj Kurtit, për qasjen e tij ndaj temës së dialogut me Serbinë.
Musliu – Shoshi thotë se, gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri aktual, Albin Kurti, e fshihke elefantin në dhomë – duke thënë se dialogu me Serbinë, nuk është ndër prioritetet kryesore të tij.
“Deri më tani z.Kurti bënte fushatë për ekonomi, punësim dhe pandemi dhe injoronte elefantin e madh që e kishte në dhomë, që e konsideronte prioritet thuajse të fundit, e që është dialogu Kosovë-Serbi. Tërë kohën nga viti 2011 ka qenë kundër të gjitha temave që janë trajtuar. Ndërsa, sot nuk tregon zgjidhje. Pra, për të gjithë këto vite në opozitë, z.Kurti është dashuer që të ketë një platformë të gatshme se si do i qaset këtij problemi, sepse dialogu nuk është një akt por një proces. Tani, z.Kurti e ka fuqinë që vetë t’i shtyej gjërat përpara, pikërisht ato të cilat i ka kundërshtuar në vazhdimësi. Pra, është shumë e lehtë prej pozicionit opozitar të kundërshtosh gjithçka, por tash kur vetë është në pozitën e të parit të qeverisë dhe vetë është përgjegjës për dialogun, më nuk ka asnjë arsye që të ankohet. Por, duhet të punojë dhe të avancojë agjendën e Kosovës ndërkombëtarisht. Ne nuk dimë se çka po synon Kosova në dialog. Nuk kemi platformë e as strategji. Aq më tragjike është se kemi një qeveri e cila nuk është e gatshmë që të raportojë për këtë proces. Qeveria Kurti është pa transparencë në procesin e dialogut. Kjo i kushton shumë demokracisë dhe të ardhmes së këtij vendi”, ka thënë Ariana Musliu – Shoshi.
Në anën tjetër, AAK, është duke kërkuar nga ana e qeverisë Kurti, që para dhe pas secilit takim me delegacionin serb në Bruksel, ata të shkojnë për raportim para deputetëve të Kuvendit të Kosovëës.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se është e domosdoshme që raportimi i Kurtit në Kuvend, të jetë në baza të rregullta.
“Kurti e ka obligim shtetëror dhe kushtetues raportimin në Kuvend rreth takimit me Vuçiqin dhe takimet tjera në raport me dialogun. Si Grup Parlamentar i AAK-së, kemi kërkuar edhe në seancën e fundit e edhe tani që për temat nacionale raportimi të mos jetë në vullnetin e kryeministrit, por të bëhet obligim dhe rregull i llogaridhënies së tij. është e domosdoshme që të raportojë kryeministri dhe raportimi të jetë në baza të rregullta”, ka thënë Tahiri për Gazeta Blic.
Kryeministri i Kosovës ende nuk ka raportuar në Kuvend për takimin e parë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kurti sot është pyetur se kur do të raportojë në Kuvend për dialogun me Serbinë, por nuk ka dhënë një përgjigje të prerë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
“Çdo herë i gatshëm jam unë”, ka thënë shkurt Kurti nga Prizreni ku vizitoi sot panairin e shkollave profesionale
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq janë takuar në Bruksel më 15 qershor, ndonëse nuk pati ndonjë zhvillim nga kjo, ndërmjetësuesit e BE-së e kanë quajtur si zhvillim pozitiv rifillimin e bisedimeve.
Kurti në këtë takim ka prezantuar katër pika.
Propozimi i parë i Kurtit thotë se “gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në”.
Propozimi i dytë nga kryeministri Kurti është që Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.
“Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”, thuhet në propozimin e dytë.
Në propozimin e tretë, pas njohjes së ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë Kurti tha se të dyja vendet do të kenë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave.
“Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, ka nënvizuar Kurti në pikën e tretë.
Ndërsa në pikën e fundit të propozuar nga Kurti, është përmendur çështja e të pagjeturve.
Sipas tij, për këtë çështje, kreun e delegacionit serb, Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999 ishte shefi i qarkut të Kosovës dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjellkoviq “duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje”.
Kurti ka sqaruar se nga këto propozime, propozimi i parë i tij nuk ka marrë përgjigje, ndërsa tri propozime tjera janë refuzuar.
Takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiq pritet të mbahet para pushimit të verës që nis më 25 korrik.