PDK lëshon mbledhjen e KQZ-së, përfaqësuesit e LDK-së dhe AAK-së mbështesin propozimin e Vetëvendosjes

Një pikë e rendit të ditës, e zhvilluar me dyer të mbyllura, ka pozicionuar në mënyrë interesante përfaqësuesit e ish-opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Derisa dy përfaqësuesit e PDK-së në KQZ, Ilir Gashi dhe Arianit Krasniqi, kanë braktisur mbledhjen në mënyrë demonstrative, përfaqësuesi i LDK-së, Sami Hamiti dhe i AAK-së, Muharrem Nitaj, kanë mbështetur propozimin e paraqitur në mbledhje.
“Mollë sherri” është bërë miratimi i listës për komisionin e pranimit për pozitat e nivelit profesional.
Kjo pikë e rendit të ditës është mbajtur e mbyllur për medie, por një pjesë e debatit është konsumuar gjatë diskutimit për votimin e rendit të ditës.
“Kërkoj që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, në të kundërtën nuk e votojë këtë rend dite. Konsideroj se është një pikë e kontrabanduar”, ka kërkuar përfaqësuesi i PDK-së, Ilir Gashi.
Pas kësaj, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka sqaruar se kjo kërkesë për pikë të rendit të ditës ka ardhur nga kryesuesi i këshillit për personel, Alban Krasniqi.
“Këshilli për Personel është takuar dje dhe e kanë trajtuar këtë pikë. Kryesuesi i këshillit (Alban Krasniqi) ka kërkuar që të vendoset në agjendë për këtë takim, prandaj unë nuk e shoh të arsyeshme për ta larguar këtë pikë”, ka thënë Radoniqi.
Kërkesa e Gashit të PDK-së nuk është mbështetur të paktën nga përfaqësuesit e dy partive të ish-opozitës, LDK-së dhe AAK-së, të cilët kanë bashkuar votat me dy përfaqësuesit e Vetëvendosjes dhe të partive minoritare, përfshirë Listën Serbe, për ta kaluar rendin e ditës së bashku me pikën e kundërshtuar.
Me 9 vota për dhe 2 kundër KQZ vendosi për të trajtuar miratimin e listës për komisionin e pranimit për pozitat e nivelit profesional, ndonëse vetëm dy mbledhje më herët, më 4 gusht, kjo pikë ishte kundërshtuar nga shumica e anëtarëve të KQZ-së.
Indeksonline mëson se trajtimi i kësaj pike është bërë me dyer të mbyllura, por nga ajo është lëshuar nga dy përfaqësuesit e PDK-së, Gashi dhe Elshani.