PDK me qëndrim të qartë për Osmanin: Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme!
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, ka konfirmuar se sot pasdite kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Abdullahu tha se gjatë takimit, kryetari Krasniqi i ka përsëritur Presidentes qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë.
“Çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm sa do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, ka deklaruar Abdullahu.
Sipas PDK-së, situata aktuale politike kërkon qartësi dhe përgjegjësi, ndërsa zgjidhja e vetme demokratike dhe e drejtë mbeten zgjedhjet e reja të parakohshme, përmes të cilave qytetarët do të vendosin drejtimin e ardhshëm të vendit dhe do t’i japin legjitimitet institucioneve të reja.

