75 Mall Live Search
13:17 / E Mërkurë, 09 Dhjetor 2020 / Blerim

PDK në Fushë-Kosovë reagon pas punësimit të djalit të kryetarit të kësaj komune në ministrinë e Rakiqit

IndeksOnline, dje ka raportuar se Trim Berisha, djali i kryetarit të Fushë- Kosovës, Burim Berisha, është caktuar zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Pushetetit Lokal.

Ky vendim është nënshkruar edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq.

Ndërsa, dega e PDK-së e Fushë-Kosovës ka reaguar pas këtij raportimi, derisa kanë publikuar vendimin në fjalë.

Në këtë reagim, thuhet se “Derisa Trimi është rehatuar në institucione të shtetit në pozitën e sekretarit të Ministrisë së Pushtetit Lokal, Guri Berisha, djali tjetër i kryetarit merret me kurdisje tenderesh në komunë”.

Ky është reagimi i plotë:

Trim Berisha është djali i kryetarit të Fushë-Kosovës, Burim Berisha. Ai është punësuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal, udhëhequr nga Goran Rakiqi, që vjen nga Lista Serbe. Ky rast qenka nën hetim të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Derisa Trimi është rehatuar në institucione të shtetit në pozitën e sekretarit të Ministrisë së Pushtetit Lokal, Guri Berisha, djali tjetër i kryetarit merret me kurdisje tenderesh në komunë.

Nepotizmi i nisur në Fushë-Kosovë ku rehatimi i familjarëve dhe punësimet në baza partiake që tashmë kanë kaluar nivelin lokal, do të thellohet, derisa Burim Berisha dhe drejtorët e korruptuar të tij udhëheqin komunën.