10:31 / E Diele, 12 Nëntor 2017 / indeksADMonline

PDK në Kaçanik: Koalicion me partitë tjera pas 19 nëntorit

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Kaçanikut, Besim Ilazi, ka deklaruar se koalicionin do ta kenë me qytetarin, por ka konfirmuar se kanë pasur bisedime edhe me partitë tjera me shpresë se koalicion do të bëjnë pas zgjedhjeve të 19 nëntorit.

Ilazi i cili ka udhëhequr mandatin e kaluar me këtë komunë beson shumë që të vazhdojë qeverisjen në këtë komunë, premton që nëse merr përsëri besimin e qytetarëve do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve të Kaçanikut, duke trajtuar të gjitha problemet e tyre.

“Premtimi im është sikurse edhe mandatin e kaluar do t’iu premtoj se do të mundohem me përkushtimin më të madh të jem zëri i qytetarëve, të mundohem të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve t’i ngre në vendin e duhur dhe në institucionet përkatëse. Për mua gjithmonë ka qenë dhe është respektimi i rendit, ligjit kjo mendoj që është edhe kërkesë e qytetarëve. Kjo është transparenca që kam bërë për 5 vitet e kaluara, do të vazhdoj me këtë transparencë dhe besoj që qytetarët na kanë kuptuar më së miri”, theksoi ai.

Ilazi beson se në balotazh shkoi për shkak të numrit të madh të kandidatëve dhe shpërndarjes së votës, por që beson se rezultati i 22 tetorit do të rikonfirmohet dhe do të dal fitues më 19 nëntor.

“Rezultati paraprakisht ka treguar se në balotazh do të kemi një avantazh për shkak se subjektin e dytë të cilin e kemi kundërkandidatin e kalojmë diku për 3 mijë e 200 vota në epërsi, apo diku në përqindje jemi 40 me 21 përqind, kështu që shpresoj që qytetarët veç kanë vendosur qysh në raundin e parë, por megjithatë është edhe balotazhi që do të jap finalen e kësaj gare. Mendoj që vetë të qenit në pushtet 17 vite, ndoshta konsumon gjithçka. Mendoj që opozita gjithmonë i shfrytëzon ndonjëherë dobësitë apo mangësitë që na përvihen gjatë punës, por megjithatë qytetarët kanë qenë të vetëdijshëm kësaj radhe kemi pasur 4-5 kandidatë ose kundërkandida, kështu që megjithatë kur votat shpërndahen për të gjithë kandidatët kësaj radhe në komunën e Kaçanikut ishte fati që të mos arrijmë pa balotazh”, ka thënë ai.

Pretendenti edhe për një mandat për Kaçanikut, Besim Ilazi, në një intervistë për KosovaPress ka thënë se koalicion do të bëjë vetëm me qytetarët e Kaçanikut, por nuk ka përjashtuar edhe ndonjë koalicion me partitë tjera që nuk janë pjesë e balotazhit.

“Edhe ne po iu themi si çdo kryetar komune tjera që janë në balotazh, koalicionin do ta kemi me qytetarin, por megjithatë bisedime kemi pasur edhe me partitë tjera dhe po shpresojmë që koalicion do të bëjmë pas zgjedhjeve të 19 nëntorit. Kjo është edhe si opinion apo si propozim i vetë kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, kështu që ne do të kemi koalicion vetëm me qytetarët, marrëveshje që unë mendoj se qytetari do të jetë edhe verdikti final i saj, kështu që koalicionin shpresoj që do ta bëjmë pas 19 nëntorit”, ka thënë Ilazi.

Prioritet kryesor nëse e merr edhe një herë qeverisjen e Kaçanikut, Ilazi ka thënë se do të ketë të vazhdimin e projekteve aty ku kanë mbetur.

Ai ka shtuar se prioritet do të kenë edhe trajtimin e ujërave të zeza që është shqetësimi më i madh i qytetarëve të Kaçanikut.