75 Mall Live Search
14:00 / E Mërkurë, 02 Dhjetor 2020 / OSH

PDK propozon mbi 400 milionë euro ndihma direkte për qytetarët dhe bizneset

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë sot se PDK-ja ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për të ftuar një seancë të jashtëzakonshme për ta votuar Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, ku janë futur propozimet e PDK-së, të cilat ndihmojnë punëtorët e sektorit privat dhe bizneset me mbi 400 milionë euro buxhet.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës tanimë ka propozuar katër masa konkrete, të cilat, nëse pranohen nga Qeveria, Partia Demokratike e Kosovës do ta votojë Ligjin e rimëkëmbjes ekonomike.

Kryetari në detyrë Hoxhaj, ka thënë se PDK-ja është e gatshme që qysh të premten të jetë pjesë e seancës, ku do të mund të votohej Paketa e rimëkëmbjes ekonomike me masat e propozuara nga PDK-ja.

Fjalimi i plotë i kryetarit në detyrë, Enver Hoxhaj:

Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave

 Sot kemi pasur një mbledhje të gjatë të kryesisë së partisë ku kemi folur për shumë çështje që i preukupojnë qytetarët e Kosovës, vecanërisht për pandeminë.

Sot kemi diskutuar se si mund ta ndihmojmë vendin dhe qytetarët.

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, ekonomia e vendit tonë ka pësuar rënie dhe institucionet nuk kanë arritur ta miratonin ende asnjë paketë të rimëkëmbjes ekonomike për t’u ndihmuar qytetarëve dhe bizneseve.

Ne e kuptojmë se qeveritë nuk janë përgjegjëse pse jemi goditur nga pandemia, por janë përgjegjëse për keqmenaxhimin e pasojave që po sjell ajo.

Më lejoni që në fillim së pari t’ju shprehim ngushëllime të gjitha familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre.

Po ashtu, shprehim mirënjohje për punën e pakursyer të stafit shëndetësor, Poilicisë së Kosovës dhe gjithë punëtorëve që janë angazhuar në vijën e parë të frontit në përballje me pandeminë.

Edhe pse në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës nga fillimi i pandemisë e ka ndjekur me shqetësim gjendjen dhe ka takuar në vazhdimësi odat ekonomike dhe qindra biznese e punëtorë të sektorit privat që kanë pritur se shteti do t’u gjendet pranë.

Nga muaji prill i këtij viti, Partia Demokratike e Kosovës ka ofruar propozime konkrete e të duhura për të adresuar krizën ekonomike.

Në fillim, ne e propozuam një paketë prej 320 milionë eurosh, para të cilat i ka pasur Kosova në arkën e shtetit, por që për fat të keq, nuk u shpenzuan në atë kohë nga Qeveria e Kurtit për të zbutur krizën ekonomike.

Këtë qasje konstruktive në raport me ekonominë dhe problemet e qytetarëve, Partia Demokratike e Kosovës e ka ndjekur edhe për Qeverinë aktuale.

Me muaj të tërë kemi kërkuar që partitë parlamentare të uleshin e të plotësonin Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, por në mungesë të vullnetit për bashkëpunim, Qeveria e ka propozuar një ligj që në përmbajtje është i mangët dhe ka nevojë të plotësohet.

Të nderuar qytetarë, të nderuar sipërmarrës, që e mbani gjallë ekonominë e Kosovës,

Ne e kuptojmë shqetësimin dhe nevojën tuaj dhe po ashtu kemi gatishmërinë që edhe nga opozita, t’u ndihmojmë, siç ju kemi ndihmuar gjithmonë edhe kur kemi udhëhequr me vendin.

Partia Demokratike e Kosovës tanimë ka propozuar pesë masa konkrete, të cilat, nëse pranohen nga Qeveria, Partia Demokratike e Kosovës do ta votojë Ligjin e rimëkëmbjes ekonomike.

Propozimet tona janë ndihma konkrete për qytetarët dhe bizneset dhe kapin shumën mbi 400 milionë euro.

Për këtë qëllim, PDK-ja do të iniciiojë një seancë të jashtëzakonshme këtë javë, ku Ligji për rimëkembje ekonomike do të votohet dhe qytetarët e bizneset do të marrin ndihmat e nevojshme për ta përballuar më lehtë krizën ekonomike që ka kapluar vendin.

Më lejoni që t’i prezantoj propzimet konkrete të Partisë Demokratike të Kosovës;

1.  Të themelohet një fond i veçantë, i cili do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Pra, të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të papunë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVIDIT-19, do të paguhen nga Qeveria së paku tre deri në katër muaj përkatës me nga 300 euro në muaj.

2. Të themelohet granti në shumë prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare bizneseve, të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të COVIDIT-19.

Këto mjete të grantit do t’u shpërndahen të gjitha bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara nga një komision i posaçëm i cili do të themelohet ekskluzivisht për këtë çështje nga Qeveria e Kosovës, të cilat dëshmojnë se e kanë të vështirë zhvillimin e afarizmit si pasojë e ndikimit të COVIDIT-19.

3. Të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Trustin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 % (dhjetë për qind) nga ta, Qeveria e Kosovës do ta kompensojë te TRUST-i brenda pesë vjetëve të ardhshëm, në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë.

4. Qeveria e Kosovës duhet ta lirojë nga TVSH-ja lëndën e parë e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo.

5.   Dhe në fund, por jo nga rëndësia, me qëllim të rritjes së transparencës dhe për ta përcjellë efektin e këtyre masave, PDK-ja kërkon që të njëjtat të jenë të specifikuara qartë në kuadër të Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Besojmë që kontribut në këtë drejtim do të japin deputetët në Kuvendin e Kosovës dhe asociacionet përfaqësuese të bizneseve.

Ne presim që të gjitha partitë parlamentare ta mbështesin këtë iniciativë të PDK-së dhe ta nënshkruajnë nismën tonë për seancë të jashtëzakonshme që ta miratojmë Ligjin e rimëkëmbjes ekonomike brenda kësaj jave dhe qytetarët e Kosovës ta marrin ndihmën e merituar shtetërore, sipas mundësive buxhetore që ka vendi ynë.