75 Mall Live Search
15:21 / E Enjte, 05 Maj 2022 / LB

PDK reagon pas dakordimit për krijimin e dy komisioneve hetimore

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur me nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e Grupeve Parlamentare janë dakorduar që të themelohen dy Komisione Hetimore për energjinë, të cilat do të kenë fushëveprime të ndryshme.

Tahiri në një konferencë për media e ka cilësuar si të panevojshëm debatin e stërzgjatur për themelimin e Komisionit Hetimor sipas kërkesës së opozitës, për çështjen e blerjes së energjisë elektrike, shtrenjtimit të saj dhe punësimet në KEK.

“Pozitë dhe opozitë jemi dakorduar tashmë që të procedojmë me themelimin e komisioneve hetimore, atë që e ka kërkuar opozita në këtë rast GP i PDK-së dhe unë si kryetar i këtij grupi, dhe po ashtu edhe Komisioni Hetimor i kërkuar nga pushteti në këtë rast. Ne nuk kemi pasur asnjëherë asgjë kundër që ky komision i kërkuar nga pushteti të themelohet. Ne nuk jemi kundër asnjë hetimi.”, shtoi Tahiri.

Ai tha se është e rëndësishme që është arritur ky dakordim dhe se PDK ka qenë e përkushtuar ta realizoj të drejtën e saj kushtetuese.

“Ajo që është e rëndësishme për ne është realizimi i një të drejte tonë kushtetuese që na siguron kontroll mbi pushtet, mbi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë periudhë, në këtë kohë krize.”, tha Tahiri.