Peci diskuton me kryetarë gjykatash, rreth menaxhimit të pandemisë në gjyqësor

Me ftesë të kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, është mbajtur takimi virtual midis kryetarëve të gjykatave dhe kryesuesit të KGJK-së, ku është diskutuar menaxhimi i situatës me pandeminë në aspektin e mbajtjes së seancave gjyqësore dhe koordinimi i aktiviteteve me Këshillin Gjyqësor, bazuar në rrethanat e krijuara, si pasojë e pandemisë Covid- 19.
Kryetari Peci theksoi nevojën e eliminimit të disa dilemave që janë shfaqur te gjyqtarët rreth mbajtjes së seancave gjyqësore në kohë pandemie, pavarësisht planit emergjent të përpiluar nga KGJK-ja dhe vendimeve përcjellëse. Sipas tij, është e nevojshme që secili kryetar gjykate të përpilojë rregulla të caktuara të veprimit, duke u bazuar në specifikat e gjykatave që përfaqësojnë.
Po ashtu, kryetari la të hapur mundësinë që si Gjykatë Supreme t’u dalin në ndihmë gjyqtarëve me udhëzime, nëse një gjë e tillë, paraqitet e nevojshme.
Kryetari Peci, vuri në pah nevojën e koordinimit midis gjykatave dhe KGJK-së, pasi, pandemia, si në çdo fushë të jetës, edhe në gjyqësor, ka ndikuar negativisht, duke shtuar numrin e lëndëve të grumbulluara.
Qëndrim i përbashkët ishte se: seancat gjyqësore online mund të mbahen nëse palët paraprakisht pajtohen, ndërsa seancat në gjykata, të mbahen duke respektuar strikt masat mbrojtëse nga Covidi-19.
Kryesuesi i KGJK-së, Skënder Çoçaj, dhe kryetarët e gjykatave shprehën opinionet dhe shqetësimet e tyre, lidhur me menaxhimin e situatës aktuale, duke u zotuar për angazhim maksimal dhe thellim të bashkëpunimit në mënyrë që palët të mos pësojnë vonesa të tjera në gjyqësore.
Kreu i Supremes falënderoi Ambasadën amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për gjyqësorin dhe për mbështetjen që aktualisht po japin në menaxhimin e situatës me pandeminë, duke mos përjashtuar edhe ndihmën e programit JSSP të USAID-it.