23:55 / E Mërkurë, 05 Tetor 2022 / AR

Peci flet për raportet VV-Guxo

Bashkë-kryetari i partisë Guxo, njëherit ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se partia e tij gëzon ende një partneritet të qëndrueshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai, në emisionin “DPT te Fidani” është pyetur për dyshimet se Guxo do të mund të jetë duke krijuar një aleancë të re me një parti opozitare.

Ai ka thënë se e dëgjon për herë të parë këtë gjë.

“Kush, ne si Guxo? Për herë të parë po e dëgjoj. Kemi raporte shumë të mira”, ka thënë ai.

Peci ka thënë se jo më larg se të shtunën e kaluar ka ndarë një pjesë të kohës me kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar mbi planet qeverisëse. 

“Të shtunën e kam kaluar një pjesë të kohës me kryeministrin ku kemi biseduar për qeverisje. S’ka asgjë të vërtetë. Ne jemi të vetëdijshëm për mandatin dhe misionin. Kur nisem në vendin e punës, e di se përse kam marrë besimin e qytetarëve që ta kthej atë me rezultate. Nëse dikush mendon se ka skenar për largimin e Guxo nga koalicioni, përderisa ka bashkëpunim të mirë e kolegjialiteti, gabon”, ka deklaruar ai.