Peci i afërt me kafshët, por jo me mediat, tha se subvencionet dalin gjatë marsit, por erdhi fundi i prillit!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin dolën në mesditën e 9 marsit në një konferencë për media. Kurti e Peci prezantuan ndihmën e Qeverisë për bujqit në Kosovë, si masë për tejkalimin e krizës në vend.
Në konferencë u bë e ditur se gjatë muajit mars shteti do të ua zgjatë dorën bujqve duke i ndihmuar me subvencione. U tha se aplikimi për subvencione do të nis gjatë muajit mars, shkruan Indeksonline.
Sot është data 19 prill dhe bujqit kanë shpresën e vetme nga mediet për të marrë një lajm për subvencionet e premtuara. Ministri Peci ka rritur aktivitetin e tij duke vizituar shumë ferma dhe ara, por që ende s’po jep përgjigje se kur do të nis aplikimi për subvencione.
Indeksonline ka disa javë që i ka shtruar këtë pyetje dhe Ministria e Bujqësisë përveç fotografive të kafshëve me ministrin Peci, nuk jep ndonjë detaj lidhur me temën e shumëpritur për bujqit.
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, kërkon që ministria mos të vonohet tutje për shpalljen e thirrjes për aplikim.
Shoqata të ndryshme të kulturave bujqësore kanë kërkuar që të hapët që tani aplikimi për subvencione ngase po ikën afati optimal për punët e pranverës në bujqësi./Indeksonline/