Peja do të “fluturoi” me Flatten

Klubi i Basketbollit Peja ka zyrtarizuar përforcimin më të ri për sezonin e ardhshëm, duke arritur marrëveshje me basketbollistin amerikan Skyler Flatten.
Flatten, i cili luan në pozitën e tretë (forward) dhe është i gjatë 198 cm, do të jetë pjesë e skuadrës pejane për edicionin 2025/26. Lojtari 30-vjeçar vjen me një përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, duke luajtur më parë për ekipe si: Boras Basket (Suedi), Pinar Karsiyaka (Turqi), Bakken Bears (Danimarkë), PAOK dhe Lavrio (Greqi), Al Sadd (Katar).
Në sezonin e fundit me Al Sadd, Flatten ka pasur paraqitje mbresëlënëse me një mesatare prej 19.6 pikëve, 3.4 kërcimeve dhe 3.4 asistimeve për ndeshje, duke shënuar me 50% saktësi nga loja (65% për dy pikë dhe 38% për tri pikë).
Sipas njoftimit të klubit, Skyler Flatten pritet t’i bashkohet ekipit më 25 gusht, kur Peja nis përgatitjet parasezonale.
Ky transferim konsiderohet si një përforcim i rëndësishëm për ambiciet e Pejës në sezonin e ardhshëm në Superligën e Kosovës dhe garat ndërkombëtare./IndeksOnline/