Pejë: Policia jep detaje, pas djegies së veturës së një polici
Sonte rreth orës 20:00, Policia e Kosovës është njoftuar se në rrugën “Pala Klementi” në Pejë një veturë është përfshirë nga flakët.
Lajmin e ka konfirmuar për Indeksonline zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Sonte rreth orës 20:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Papa Klementi’ në Pejë një veturë është kapluar nga zjarri. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale,” ka deklaruar Gashi.
Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori i shtetit si dhe eksperti i zjarrit për të hetuar shkaqet e incidentit.
Sipas Gashit, vetura ishte private dhe në pronësi të një pjesëtari të Policisë së Kosovës.
Më herët, IndeksOnline raportoi se polici në fjalë, viktimë e këtij incidenti, është Endrit Hajdari.

