20:41 / E Diele, 12 Maj 2019 / indeksADMonline

Pëlcitja e gypit në Prishtinë, furnizimi me ujë kthehet në ora 23:00

Sot gjatë gjithë ditës, një pjesë e madhe e kryeqytetit ka mbetur pa ujë, si pasojë e pëlcitjes së një gypit.

Ishte paralajmëruar që furnizimi me ujë të filloj nga ora 18:00, por një gjë e tillë nuk ndodhi, për shkak të disa vështirësive.

Zëdhënësja e Ujësjellësit, Arjeta Mjeku ka thënë për Indeksonline se sanimi i kësaj gjendje mund të zgjas edhe për disa orë.

“Është paraparë në bazë të natyrës së defektit që sanimi do të kryhet në orën 18.00, por në bazë të informacioneve nga kujdestaria sanimi mund të zgjasë deri në orën 23:00. Ekipet teknike janë duke punuar me intensitet të lartë, qe 15 orë pa ndërprerë që nga ora 06:00 e mëngjesit”, ka theksuar Mjeku.

Mirëpo, sipas saj, defekte te tilla ndodhin papritur dhe shpeshherë sanimi bëhet më i vështirë për shkak të pozicionit të tubit dhe vetë diametrit që ka dhe problemeve teknike të tjera që mund t’i hasin përgjatë sanimit.

“Me sinqeritetin më të madh kërkojmë mirëkuptim nga konsumatorët , sepse puna aty ka filluar në orën 06:00 e që realisht po punohet pandërprerë ende”, ka thënë Mjeku, duke bërë të ditur se janë lagjet ‘Kalabria’, ‘Lakrishtja’, ‘Pejtoni’ që kanë mbetur pa ujë. /Indeksonline/