75 Mall Live Search
15:25 / E Enjte, 06 Nëntor 2025 / MSH

Pelosi pensionohet nga politika në SHBA

Nancy Pelosi, gruaja e parë që shërbeu si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, tha të enjten se nuk do të kandidojë për rizgjedhje në Kongres në vitin 2026.

Kësisoj, ajo i dha fund një karriere katërdekadëshe, si një ikonë progresive demokrate, shkruan Reuters.

Kongresmenja 85-vjeçare, e zgjedhur për herë të parë në vitin 1987, bëri njoftimin e saj dy ditë pasi votuesit në Kaliforni miratuan me shumicë dërrmuese “Propozimin 50”, një përpjekje për rindarjen e zonave zgjedhore shtetërore që synonte t’u jepte pesë vende demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit të ardhshëm, transmeton IndeksOnline.

“Nuk do të kërkoj rizgjedhje në Kongres. Me një zemër mirënjohëse, pres me padurim vitin tim të fundit të shërbimit”, tha Pelosi.

Gjatë mandatit të saj, Pelosi fitoi reputacionin si mbrojtëse e të drejtave të njeriut dhe një avokate e hershme e të drejtave të homoseksualëve.