Pensionet nuk dolën me rritje për të gjithë, deklarohen nga Ministria e Financave
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, njoftoi më herët gjatë ditës se sot janë ekzekutuar pensionet bazike dhe ato për persona me aftësi të kufizuara, me rritje nga 120 në 150 euro.
Por, disa pensionistë dhe familjarë të personave me aftësi të kufizuara kanë raportuar se pensionet u janë alokuar njëjtë sikurse muajve të kaluar.
Lidhur me këtë çështje, Loresa Statovci, këshilltare e ministrit të Financave, ka deklaruar për IndeksOnline se pensionet me rritje janë ekzekutuar për të gjithë.
Megjithatë, ajo nuk përjashton mundësinë e gabimit teknik në sistem.
“Pensioni bazik dhe ai për personat me aftësi të kufizuara është ekzekutu me rritje për të gjithë, përfshirë dhe të rinjtë që kanë hyrë në listë këtë muaj. Nga Departamenti i Pensioneve kam konfirmim që të gjithëve iu është ekzekutu me rritje. Në rast se ka ndonjë palë që nuk i është ekzekutuar me rritje, ne iu bëjmë thirrje që të lajmërohen, për të shqyrtuar çështjen e tyre në sistem” deklaroi Statovci.
Rritja e pensioneve nga 120 në 150 euro ishte premtim i Kurtit, i bërë në ditën kur do të votohej qeveria e re. Përpara deputetëve, Kurti premtoi se një nga vendimet e para që do të merrte në mandatin e ardhshëm do të ishte pikërisht rritja e pensioneve, ndonëse çaste më vonë nuk u votua qeveria.
Sipas të dhënave, përfitues të pensionit në Kosovë janë mbi 200 mijë persona./IndeksOnline/

