Pensionimi nis me orë të re/ KEK-u blen dhurata mijëra euro për punëtorët (Dokument)
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilët do të pensionohen gjatë këtij viti, do të shpërblehen me orë dore si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre ndër vite në këtë ndërmarrje publike.
KEK-u ka arritur pak ditë më parë të finalizojë një tender me kontratë për blerjen e orëve të dorës, të cilat do të mbajnë logon zyrtare të korporatës, shkruan IndeksOnline.
Sipas dokumenteve zyrtare, për këtë qëllim fillimisht janë planifikuar rreth 29 mijë euro.

Pas përfundimit të procedurës së prokurimit, tenderi i është besuar operatorit ekonomik “IAS GROUP” SH.P.K.. Vlera përfundimtare e kontratës që do t’i kushtojë KEK-ut është 23,052.48 euro, që është më e ulët se shuma e paraparë fillimisht.
Sipas të dhënave të tenderit, një ofertë tjetër e përgjegjshme ka qenë në vlerë prej 25,984.92 euro, por ajo nuk është përzgjedhur si fituese.

