Pensionohen dy doktorët e njohur të Spitalit të Pejës
Dy mjekë të njohur të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, janë pensionuar.
Bëhet fjalë për sr. Zenel Ahmetajn, specialist i Neurologjisë dhe dr. Naim Morinën, specialist i Radiologjisë, të cilët për shumë vjet ishin pjesë e pandashme e spitalit, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në trajtimin dhe kujdesin ndaj pacientëve.
Në njoftim thuhet se sr. Zenel Ahmetaj me përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë e tij ka dhënë një kontribut të çmuar në forcimin e shërbimit të Neurologjisë, duke lënë gjurmë respekti dhe vlerësimi te kolegët dhe pacientët.
Po ashtu, dr. Naim Morina është vlerësuar për angazhimin e tij ndër vite në shërbimin e Radiologjisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në këtë institucion.
Në emër të menaxhmentit dhe stafit, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka falënderuar të dy mjekët për punën dhe përkushtimin e tyre ndër vite, duke u uruar shëndet, gëzim dhe një kapitull të ri të jetës të mbushur me qetësi dhe lumturi.

