12:36 / E Martë, 13 Prill 2021 / B O

Pentagoni konfirmon përmes videove: UFO-t kanë ndjekur anijet luftarake në brigjet e Kalifornisë

Pentagoni ka konfirmuar se videot dhe fotot e publikuara në 2019, ku dukeshin UFO-të që po ndiqnin anijet luftarake të SHBA, në brigjet e Kalifornisë, janë të vërteta. Materiali i publikuar është marrë nga personeli i Marinës Amerikane. Imazhet tregojnë gjashtë objekte fluturuese që shfaqen mbi anijet e Marinës Amerikane.

Nga fotot një nga objektet ishte në formë piramidale, ndërsa skeptikët ende besojnë se ishin dronë ose balona.

Sidoqoftë, sipas një raporti në gazetën britanike “Daily Mail”, marina amerikane megjithatë i ka regjistruar objektet si të panjohura.

Një punonjës i Pentagonit, i cili ndihmoi në përpilimin e raportit, konfirmoi se fotot dhe videot në fjalë janë marrë nga stafi dhe jo nga amatorë që përpiqen të kapin UFO-t.

Shërbimi i Inteligjencës i Marinës Amerikane, i cili specializohet në “standardizimin, mbledhjen dhe raportimin” e avionëve të pashpjegueshëm, do të paraqesë imazhet si prova në Kongres, qershorin e ardhshëm, sipas raportit.