Pentagoni: SHBA-ja do të luajë rol minimal në garantimin e sigurisë së Ukrainës

Zyrtari më i lartë i politikave të Pentagonit, Elbridge Colby i ka thënë një grupi të vogël aleatësh të martën në mbrëmje se SHBA-ja planifikon të luajë një rol minimal në çdo garanci sigurie për Ukrainën, një nga shenjat më të qarta deri më tani se Evropa do të duhet të mbajë barrën e ruajtjes së paqes së qëndrueshme në Kiev.
Komentet nga Colby, nënsekretari i Mbrojtjes për Politikat, erdhën në përgjigje të pyetjeve nga udhëheqësit ushtarakë evropianë në një takim të udhëhequr nga kreu i shtatmadhorisë, së SHBA-së, gjenerali Dan Caine, raporton Politico.
Shefat e mbrojtjes nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Finlanda e shtynë palën amerikane të zbulonte se çfarë do të ofronte në trupa dhe asete ajrore për të ndihmuar Ukrainën të mbante një marrëveshje paqeje me Rusinë, sipas një zyrtari evropian dhe një personi tjetër të informuar mbi bisedimet.
Mbledhja dhe një tjetër takim i organizuar me nxitim i udhëheqësve të NATO-s të mërkurën i lanë aleatët gjithnjë e më të shqetësuar se presidenti Donald Trump do të mbështetet te Evropa për të siguruar një paqe afatgjatë pasi Rusia të përfundojë pushtimin e saj, sipas gjashtë zyrtarëve amerikanë dhe evropianë.
“Ekziston realiteti që po agon se do të jetë Evropa ajo që do ta bëjë këtë të ndodhë në terren”, ka thënë një diplomat i NATO-s i cili u informua mbi bisedimet.
“SHBA-ja nuk është plotësisht e përkushtuar për asgjë”.
Takimet — të cilat ndodhën disa ditë pasi Trumpi dhe udhëheqësit evropianë u takuan me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në një shenjë uniteti, nënvizojnë detyrën e madhe që kanë përpara aleatët, teksa ata peshojnë planet për të dërguar një forcë paqeruajtëse në Ukrainë dhe për të blerë më shumë armë të prodhuara në Amerikë për Kievin.
Trumpi të hënën ka thënë se ishte gati të dërgonte trupa amerikane në Ukrainë. Por ai u tërhoq të martën, duke sugjeruar në vend të kësaj se ishte i hapur për të ofruar mbështetje ajrore për trupat evropiane atje.
“Nuk e di se ku na lë kjo”, ka thënë një nga zyrtarët evropianë. “Pothuajse përsëri aty ku ishim në pranverë me koalicionin e të vullnetshmëve”.
Colby ka kryer një shqyrtim të rezervave të municioneve amerikane këtë vit që e shtyu sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth në korrik të ngrinte përkohësisht ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën.
Dhe ai ka kohë që ka shtyrë aleatët evropianë të bëjnë më shumë për të mbrojtur kontinentin kundër Rusisë. Prania e tij në bisedime mund të nënkuptojë një rrugë më të vështirë për Evropën, për të bllokuar mbështetjen amerikane për sigurinë.