10:25 / E Enjte, 21 Mars 2019 / indeksADMonline

Për 16 muaj ‘Down Syndrome Kosova’ ​bëhet më objekt të ri

Në shënimin e Ditës Botërore te sindromit Down, është bërë përurimi i hapësirave të reja për shoqatën ‘Down Syndrome Kosova’.

Drejtoresha e Shoqatës ‘Down Syndrome Kosova’, Sebahate Beqiri, tha se ky është 21 marsi më i mirë që po e presin.

“Është 21 marsi që e kemi pritur më së miri, pasi sot pas mbështetjes së komunës po lëvizim në hapësira të reja. Keni bërë një punë shumë të mirë për komunitetin. Rreth 50 fëmijë marrin shërbime në Prishtinë dhe 30 të tjerë në listën e pritjes dhe sot ju jemi shumë mirënjohës”, tha ajo.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, ka thënë se komuna e Prishtinës do të jetë gjithmonë e gatshme që të trajtojë kërkesat e shoqatës.

“Sado që është modeste unë besoj që do të përmbushë kërkesat e fëmijëve. Objekti që jemi duke e ndërtuar besoj që do të jetë i gatshëm brenda 16 muajsh, objekti tek stacioni i autobusëve. Ne jemi gjithmonë përkrahë jush, çdo kërkesë e juaja do të trajtohet”, tha ai.

Drejtori i Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës Dren Kukaj, ka thënë se vendosja e tyre në këto zyre është e përkohshme.

“Unë e di që është folur shumë, ne do të jemi edhe në të ardhmen pranë jush. Pranojeni këtë si zgjidhje të përkohshme. Në kushte normale shteti do të duhej të merrej më këtë. Para dy dite kemi marrë vendim që shfrytëzimin e kësaj hapësire ta keni pa pagesë”, u shpreh ai.

Hajdar Hoxha Drejtor Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike Banesore, ka bërë të ditur se shoqata nuk do të paguajë për shfrytëzimin e këtyre lokaleve.

Në emër të prindërve ka folur Gresa Godeni, e cila ka thënë se po një nga ëndrrat e tyre po bëhet realitet.