75 Mall Live Search
10:26 / E Diele, 08 Mars 2020 / indeksADMonline

Për 8 Mars, Atifete Jahjaga kujton bilbilin e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën

Ish presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shfrytëzuar llogarinë e saj zyrtare në Facebook për të uruar gjitha gratë për festën e 8 Marsit.

Ajo gjithashtu ka shfrytëzuar këtë festë për të kujtuar yllin e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha, e cila ndërroi jetë para pak kohe, duke lënë pas vetes një karrierë të bujshme, për tu konsideruar bilbili i muzikës shqipe, shkruan Indeksonline.

Ky është postimi i plotë i saj:

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kjo ditë e thirrjeve, avokimit, vetëdijësimit për barazi gjinore në Kosovë dhe kudo në botë na gjen duke kërkuar njohje vlerash për gratë, qofshin ato amvise, udhëheqëse vendi apo yje të skenës.

Sot, i përulemi betejave për barazi gjinore që kohë më parë u nisën nga gratë që ne sot ta kemi disi më të lehtë, por, kjo nuk duhet të na ngushëlloj, historia duhet të na motivoj pasi që rruga është e gjatë dhe ka shumë ndalesa për përmisimin e pozitës së gruas në shoqëri.

Janë shumë gra që kanë bërë ndryshime, kanë thyer barriera në shoqërinë tonë. Por në këtë vit, në këtë ditë, kujtoj tashmë të ndjeren znj. Nexhmije Pagarusha, një yll i vërtetë, një zë që nuk do të shuhet, një këngë që kurrë nuk të pushoj së kënduari. Më së shumti, një grua shembull, një grua që shënoi histori të muzikës në Kosovë, heroinë e vërtetë e artit dhe kulturës në të gjitha trojet shqiptare.

Sot, znj. Pagarushën e kujtoj për arsye se ajo për mua është sinonim i një gruaje të fortë, një gruaje të zonja dhe të suksesshme – gjurmët e hapave të saj nuk do të veniten kurrë, dhe për ta ndjekur rrugën e saj nuk ka qenë kurrë më lehtë. Andaj, të përjetsojmë vlerat që na i la trashëgimi.

Gratë kanë forcë, kanë talent, kanë potencial e janë ndryshimi dhe suksesi i garantuar i së ardhmës, prandaj, grave iu duhet garantuar barazi në shtëpi, rrugë, punë dhe kudo tjetër.