Për 8 mars, kryetari Bulliqi organizon tryezë me temën “Roli dhe fuziqimi i grave në shoqëri”

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka organizuar një tryezë me rastin e festës së gruas.
Me temën: “Roli dhe fuziqimi i grave në shoqëri”, i pari i Podujevës ka mbajtur diskutim të hapur për sfidat dhe vështirësitë e shumta të grave për t’u zhvilluar në karrierë.
“Tryeza e organizuar me temë:“Roli dhe fuziqimi i grave në shoqëri” për nder të ditës së grave.
Në tryezën e organizuar nga Komuna e Podujevës është mbajtur diskutim me gra që vijnë nga fusha të ndryshme për rolin dhe fuqizimin e tyre. Aty diskutuam për sfidat dhe vështirësitë e shumta të grave për t’u zhvilluar në karrierë. Unë shpreha mirënjohjen time të thellë për kontributin e tyre në çdo fushë të jetës.

Për çdo vit, 8 marsi na rikujton lëvizjen për të drejtat e grave. Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, uroj që fjalët drejtësi e barazi të mos mbeten vetëm fjalë, por të punohet për to. Në kabinetin tim qeverisës, në disa pozita udhëheqëse kam vendosur t’ju prijnë gratë. Jo vetëm të përmbushë kornizën ligjore për barazi. Por, sepse e meritojnë.
Një grua mund të punojë, udhëheqë e t’i prijë secilit proces përpara. Me shumë vullnet e energji! Prandaj, duhet të angazhohemi maksimalisht të avancojmë pozitën e gruas në shoqëri. Barazi në trashëgimi, punësim, drejtësi, ekonomi e politikë. Ta bëjmë 8 marsin çdo ditë”, shkruan Bulliqi në njoftim./Indeksonline/
