75 Mall Live Search
19:59 / E Martë, 03 Shtator 2019 / indeksADMonline

Brenda 8 muajve, afro 5 milionë turistë, në Shqipëri

“Viti 2019 në 8-mujorin deri më 31 gusht ka shënuar plot 4 milionë e 850 mijë turistë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, e që janë 10% më shumë së i njëjti 8-mujor i vitit 2018”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi, gjatë një interviste televizive për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Klosi tha se “gushti cilësohet si muaj i suksesshëm turistik, pasi 1.5 milionë turistë të huaj kanë hyrë në Shqipëri, pra 8% më shumë se gushti i 2018. Në datat 5-25 gusht i gjithë kapaciteti në bregdet ka qenë i ezauruar”, shtoi ministri, transmeton ATSH.

“Tashmë në turizmin shqiptar ka ardhur koha për rregulla të reja dhe nëse ne nuk kuptojmë që sot që kemi nevojë për një strukturim tjetër të turizmit shqiptar, vitin tjetër do kemi probleme më të mëdha”, vijoi Klosi, përcjell albinfo.ch.

“Ne ndjehemi pozitivë për sa u përket shërbimeve në turizëm, si mikpritja dhe gjithashtu po ecim shumë në strukturat akomoduese. Ka një moment të fortë zhvillimi për sa i përket hotelerisë në gjithë zonën e bregdetit, pasi ka me mijëra shtretër të shtuar të rinj në gjithë strukturën turistike të vendit”, shtoi ai.

“Ky vit gjithashtu shënoi progres për sa u përket rregullave, për sa u përket hapësirave publike, menaxhimit të plazheve dhe hapësirave të mbrojtura”, përfundoi ministri Klosi.