18:15 / E Martë, 13 Gusht 2019 / indeksADMonline

Për Bajram, Petrol Company bëri me shtëpi dy familje në Gjakovë

Për 20 vjet i kanë zbardhur mëngjeset me frikën se një ditë do t’u bie mbi kokë ky tavan…

Një dhomë një korridor, ka qenë streha e vetme e familjes 5-anëtarëshe të Latif Halilaj nga Gjakova, të cilët për 20 vjet kanë jetuar në një gjendje të rëndë me këtë shtëpi pothuajse të rrënuar.

Një dhomë e një korridor ka edhe vëllai i Latifit, Idrizi i cili jeton me bashkëshorten e tij. Të dy me asistencë sociale.

Dy familjet Halilaj njihen nga të gjithë në Gjakovë. Askujt nuk i ka munguar dëshira t’u ndihmojë, por pakkush ka pasur mundësi. Për njëzet vjet, askush nuk mundi që këto dy familje t’i bëjë me një ambient të denjë për jetesë. Nuk lanë derë pa trokitur, por askush nuk u është përgjigjur. As komuna e as institucionet e tjera.

Latif Halilaj ka rrëfyer për KosovaPress se si lutjet e tij për ndihma janë refuzuar nga të gjithë.

Latif Halilaj: Ndihma s’na ka dhënë askush

“Vetë i pesti në familjen teme, ky i ka dy anëtarë vetë i dyti është… ndihma s’na ka dhënë askush hiç, as nuk na kanë marrë parasysh si komunë”, thotë Halilaj.

Për të mos mjaftuar gjendja e rëndë e jetesës, Latif Halilaj përballet edhe me sëmundjen e djalit.

Halilaj: Djalin e kam në Handikos

“Me pesë anëtarë jetoj, djalin e kam në Handikos. Ma kanë lënduar gjatë lindjes, e ka lënduar këmbën e dorën. Kam vrapuar pas tij nëpër Tiranë, Prishtinë që më kanë ndihmuar hallku, kam shkuar e kam këqyr”, thotë ai.

Një ditë të bukur, gjithçka ndryshoi për këto dy familje. Fati deshi që këto familje të pranojnë në vizitë zyrtarë të Petrol Company, e cila këtë vit kishte ndryshuar traditën e ndarjes së shpërblimeve.

Këtë herë, kompania Petrol kishte vendosur që të mos shpërblejë vetëm klientët e saj, por të përzgjedhë qytetarë që nuk kanë mundësi ekonomike për të pasur vetura.

Petrol Company vendosi që dy familjet Halilaj t’i bëjë me kulm mbi kokë.

Hoxhë Abdurrahman Bejtullahu tregon për KosovaPress se si Petrol Company përzgjodhi këto dy familje t’u dalë në ndihmë, ndonëse kishte kosto të lartë financiare.

Bejtullahu: Është familja që më së shumti ka pasur nevojë për ndihmë

“Jemi të dy familje. Familja e Latif Thaçit dhe Idriz Thaçit. Familja Latifit që jeton pas nesh është 5 –anëtarësh, kurse Idrizi është një çift. Familja e Latfitit janë me një fëmijë nga HENDIKOS-i që janë të prekur tash e sa vite me një sëmundje të pashëruar. Janë me asistencë sociale të dy familjet. E tërë  Gjakova i njeh nga ata dhe kanë pasur nevojë çdokush nga ne t’i ndihmojë. Nuk ka pasur mundësi deri tani askush nga ne t’i bëjë më shtëpi, sepse ka qenë fati për dy familje, shpenzimet kanë qenë tepër të mëdha. Shpenzimet kanë qenë tepër të mëdha. Ne jemi kujdes me ndonjë pako ushqimore,  ndërkohë menaxheri i kompanisë Petrol, Zoti e shpërbleftë, ia shtoftë bereqetin Tekia erdh dhe e bëmë përzgjedhjen. Është ndër familjet në qytetin e Gjakovës më e mira që ka pasur nevojë t’i dilet në ndihmë. Gëzim është për ne, gëzim është për ta, gëzim është për të gjithë qytetin e Gjakovës…Çdokush që është klient i juaji është pjesë e këtij shpërblimi, është pjesë e këtij gëzimi”, tha ai.

E emocionuar që po bëhet me shtëpinë e re, zonja e shtëpisë është shprehur jashtëzakonisht falënderuese ndaj Petrol Company, që tashmë nuk do të jetojë me frikën se një ditë do t’i bie çatia mbi kokë.

Halilaj: Zoti e shpërbleftë Petrol Company

“Kam shkuar e askush nuk më ka pranuar, derisa erdhi kompania Petroli…  Ka qenë shumë e vështirë për neve. Jetoj e papunë, kemi qenë 5 anëtarë,  një fëmijë e kam me aftësi të kufizuara. E kemi edhe kunatin, i cili jeton me grua. Ka vendosur Petroli Company të na bëjë shtëpinë me dy hyrje. I falënderoj me zemër e me shpirt, Zoti i shpërbleftë  se kemi qenë shumë rëndë, ka qenë katastrofë për neve. Shtëpia ka qenë krejt e dëmtuar, veç kemi prit kur po na bie e po na zënë. Falënderoj Petrol Company që na kanë ndërruar gjendjen tonë, se qysh kemi kon Zoti e din për neve”. E kemi pasur shumë të vështirë të jetojmë, ka vendos Petrol Company të na bëjë me dy shtëpi, një për ne, një për kunatin. Allahu i shpërbleftë me të gjithë të mirat e jetës së tyre”, tha ajo.     

Kompania Petrol Company, nga vizita  e fundit në këto dy familje, nxitoi që të njëjtat ta presin në shtëpitë e tyre të reja festën e Kurban Bajramit.

Një ditë para festës së Kurban Bajramit, familja pesë anëtarësh e Latif Halilajt dhe familja dy anëtarësh e Idriz Halilajt, kanë hyrë në shtëpitë e reja.

Dorëzimin e çelësave për familjet e ka bërë vetë pronari i Petrol Company, Shkelzen Jusaj, i cili tha se ndihet shumë i lumtur që po bëhen me shtëpi këto familje.

Jusaj: Jam i prekur emocionalisht për gjendjen e familjes

“Jam i prekur emocionalisht për gjendjen në të cilën ishte familja. Po është natë Bajrami dhe ne i kemi dorëzuar dy çelësa për dy familje vëllezërit Halilaj. Normal, si gjithmonë, janë raste që emocionalisht më prekin shumë, për shkak se ishin raste shumë sociale, kishin edhe një fëmijë të sëmurë dhe ata nuk është që ishin shumë të përgatitur për të punuar, për të krijuar familje ose një standard ndryshe. Si gjithmonë, jam i prekur për shkak se nuk po shoh që institucionet kanë një trajtim ose e kanë ndërmend të merren me çështje sociale dhe sigurisht që ne si Petrol Company do të vazhdojmë të dorëzojmë çelësa, për të ndërtuar shtëpi, jo vetëm për Bajrame ose festa të caktuara. Ne e kemi një kampanjë bashkë me klientët, të cilët me faktin që janë klientë të Petrol Company japin kontributin e tyre, për shkak se neve nga profiti ynë ndajmë 1 cent për secilën litër. Këtë vit kemi planifikuar të ndërtojmë 8 shtëpi, tri vetëm janë dorëzuar, e katërta është në proces dhe presim deri në fund të vitit ta përfundojmë. Sigurisht që do të vazhdojmë edhe viteve tjera”, tha ai.

Jusaj ka dhënë detaje për idenë e kampanjës që kanë realizuar.

Jusaj: Kemi zgjedhur problemet e tyre

“Ne e kemi parë se marketingu është pjesë përbërëse, e pandashme dhe e domosdoshme për një biznes. Mirëpo, dhuratat ose shpërblimet, të cilat mund të ndahen për klientët, atje mund të ketë një fitues, 10 fitues ose 100 fitues. Në rastin konkret, ne kemi menduar që të jetë fitues secili klient i Petrol Company, për shkak se besoj që janë të lumtur dhe e ndajnë lumturinë bashkë me neve dhe familjet që e kanë zgjedhur problemin e tyre, ëndrrën e tyre jetësore. Prandaj, ne kemi dashur t’iu japim shansin që të përfitojnë dhe të kontribuojnë të gjithë klientët dhe gjithashtu nevojtarët, zakonisht nuk kanë automjete dhe nuk mund të jenë pjesë e lojërave të ndryshme ku mund të përfitojnë, andaj zakonisht në ato raste përfitojnë ata që shpenzojnë më shumë, që thonë paraja shkon te paratë. Në këtë rast, mund të përfitojnë ata të cilët më së paku kanë nevojë. Në këtë rast ne besoj se bashku me të gjithë klientët tanë, jemi fitues dhe ndjehemi shumë mirë”, tha ai.

E përfaqësuesi i Komunës së Gjakovës, Zymber Berisha falënderoi Petrol Company që ka bërë me kulm mbi kokë dy familje.

Berisha: Falënderojmë Petrol Company, familjeve iu urojmë shëndet

“E falënderojmë Petrol Company me pronarin Shkelzen Jusaj, i cili ka bërë të mundur ndërtimin e këtyre dy shtëpive, pikërisht në këtë ditë të madhe të festës së Kurban Bajramit. Urojmë që familjet të kenë shëndet, mbarësi dhe suksese”, tha ai.

Me shtëpi të re është bërë Latif Halilaj, i cili falënderoi Petrol Company që e ka bërë me kulm mbi kokë.

Ai thotë se për 20 vjet kishte jetuar në kushte shumë të rënda, por që tash falë Petrol Company, fëmija e tij do të ketë kushte më të mira.

Halilaj: 20 vjet në kushte të vështira, kemi festë të dyfishtë

“Nuk e kam pritur që vjen, 20 vjet në kushte të vështira. Zoti i shpërbleftë kompaninë, drejtorin bashkëpunëtorët e tij, komunën… Shumë të lumtur jemi unë jam vetë i pesti, vëllai është vetë dhe gruaja… Kemi dyfish festë, s’e kam pritur këtë të vijë”, tha ai.

Edhe Idriz Halilaj që jeton vetëm me gruan e tij është bërë me shtëpi. Ai u shpreh falënderues ndaj Petrol Company që i ka zgjidhur çështjen e banimit njëherë e përgjithmonë.

Petrol Company zyrtarisht ka filluar ndërtimin e dy shtëpive për dy familje në nevojë në Komunën e Gjakovës më datë 13 korrik, ku edhe iu është bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të furnizohen me karburante në Petrol Company, në mënyrë që të ndërtojnë sa më shumë shtëpi për familjet në nevojë.

Menaxherja e Petrol Company, Valentina Mekani kishte deklaruar se kompania e tyre ka disa muaj që ka nisur një kampanjë duke ndarë nga një cent për çdo litër për ndërtimin e tetë shtëpive për tetë familje me nevojë.

Mekani: T’i strehojmë edhe familjet tjera

“Po mendojmë për një periudhë shumë të shkurtër për të ndërtuar. Tash varet nga punimet e punëtorëve, por synimi jonë është për ditë të Bajramit për të hyrë në shtëpi… Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve kudo që ndodhen, të furnizohen në Petrol Company që t’i japim mundësi për t’i strehuar edhe shumë familje tjera, t’i ndërtojmë edhe shumë shtëpi tjera”, tha ajo.