10:54 / E Mërkurë, 17 Gusht 2022 / A. M.

Për çka biseduan Kurti e Stoltenberg herën e fundit?

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg do ta takojë në Bruksel kryeministrin kosovar, Albin Kurti.

Deri më tani nuk dihet se cila do të jetë tema e bisedimeve mes zyrtarit të lartë të NATO-s dhe Kurtit.

Por ajo që dihet është se ata më 2 gusht patën një bisedë telefonike e cila u dominua nga zhvillimet e fundit në veri.

Stoltenberg tha se të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, kishte shkruar ai në Twitter.

Telefonata ndodhi pas tensioneve në veri të vendit, për reciprocitetin që vendosi qeveria e Kosovës ndaj Serbisë për letërnjoftimet dhe targat.

Stoltenberg dhe Kurti do t’i drejtohen mediave në orën 17:00, pas takimit të sotëm në Bruksel. Një takim të tillë do të ketë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i së mërkurës në NATO ndodh një ditë para takimit të Brukselit ku do të përballen Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.