Për çudi, gjermanët pajtohen që autostradat të bëhen me limit shpejtësie
Më shumë se gjysma e shtetasve gjermanë duket se pajtohen me heqjen e shpejtësisë së pakufizuar në autostradat gjermane.
Sipas një sondazhi të Institutit Emnid të nxjerrë në pah nga Reuters, 52 përqind e gjermanëve të anketuar thanë se mbështesin një limit shpejtësie prej 120 deri në 140 km/orë. Ndërkohë, 46 përqind ishin kundër këtyre rregulloreve.
Qeveria gjermane javën e kaluar propozoi që vendi të imponojë një limit shpejtësie prej 130 km/orë në të gjitha pjesët e rrjetit të famshëm të autostradave, shkruan IndeksOnline.
Arsyeja e kësaj është për të ulur emetimet që shkaktojnë makinat dhe për të përmbushur marrëveshjën e Parisit për ndryshime klimatike.
Ndërsa popullata ka të ngjarë që e miraton këtë, midis atyre që kundërshtojnë një ndryshim të tillë është ministri i transportit, konservatori bavarez Andreas Sscheuer.

“Parimi i lirisë ka provuar veten,” tha Scheuer për tabloidin gjerman Bild am Sonntag. “Kushdo që dëshiron të ngasë 120 km mund të ngasë 120 km, dhe ata që duan të shkojnë më shpejt mund ta bëjnë këtë gjithashtu” deklaroi ai.
Scheuer vazhdoi të theksonte se autostradat e Gjermanisë janë më të sigurtat në botë, 30 për qind e autostradave të saj tashmë janë të kufizuara me shpejtësi dhe se zgjerimi i kësaj deri në 100 për qind do të shkurtonte emetimet vetëm për 0.5 për qind.
Gjermania po përballet me presione të konsiderueshme për të ulur emetimet dhe mund të gjobitet rëndë nga BE nëse nuk arrihen objektivat. /IndeksOnline/