Për disa falas e për disa me pare, UP deklarohet për rimbursimin e pagesave të semestrit

Me vendim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” studentët e rregulltë në nivelin Bachelor dhe Master janë liruar nga pagesa e regjistrimit të semestrit, në kategori të caktuara.
Mirëpo, me këtë vendim disa studentë i bie të shkollohen falas për një vit akademik disa jo.
Kjo pasiqë, me plotësim-ndryshimin e vendimit me nr 4/74, disa studentë të nivelit Master, një vit akademik pas përfundimit të semestrit të fundit të rregullt, nuk do të rimburësohen, pasi kryejtën obligimet para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
IndeksOnline ka raportuar dje lidhur me këtë temë, ku studentët e nivelit Master që kanë kryer shërbimet për regjistrimin e semestrit para datës 14 mars nuk do u kthehen paratë.
Kurse, kolegët e tyre, të nivelit Master, një vit akademik pas përfundimit të semestrit të fundit të rregullt, që ende nuk kanë paguar semestrin do të kenë falas.
Nga Universiteti i Prishtinës në një përgjigje për IndeksOnline kanë thënë se vendimi për mosrimbursim vlen për të gjitha kategoritë dhe nivelet e studimeve në UP.
“Ju njoftojmë që vendimet për lirim nga pagesa për regjistrim të semestrit për studentët e Universitetit të Prishtinës, nuk nënkuptojnë rimbursimin e pagesave për studentët të cilët i kanë kryer obligimet para hyrjes në fuqi të vendimeve. Pra e njëjta vlen për të gjitha kategoritë dhe nivelet e studimeve në UP. Bashkëngjitur gjeni vendimet e UP-së për lirim nga pagesat për regjistrim të semestrit”, thuhet në përgjigje./IndeksOnline/





