07:56 / E Shtunë, 20 Korrik 2019

Për dy ditë Prishtina bëhet qendër e gastronomisë shqiptare

Sot dhe nesër në kryeqytet do të mbahet Prishtina Gastronomy Festival i cili synon promovimin e gastronomisë shqiptare dhe traditat kulturore shqiptare në përgjithësi.

Ky festival vjen si nevojë e promovimit të recetave dhe produkteve mbarëkombëtare shqiptare, si një nga elementet e ruajtjes së identitetit kombëtar.

Në zemër të këtij festivali është një mesazh “Gjyshërit tanë treguan dashurinë e tyre për ne dhe për pjesën tjetër të familjeve tona përmes pjatave që shërbenin në tryezë. Le ta përhapim këtë dashuri nëpër botë!”

Festivali mbahet në sheshin “Adem Jashari”. Gjatë dy ditëve do të ketë simpoziume, punëtori, këndi i restoranteve, panairi i tregtisë me produkte ushqimore dhe pije nga shitësit lokalë, lojëra dhe muzikë.

Qëllimi i festivalit është të bëhet një takim vjetor për kuzhinierët, pronarët e restoranteve, bartenderët, historianët, antropologët, dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në lëmin e gastronomisë.

Sipas organizatorëve, kjo ngjarje të jetë një pikënisje për bashkëpunimin dhe frymëzimin reciprok, ku do të eksplorojmë të kaluarën tonë dhe do të ndajmë entuziazmin me pjesën tjetër të botës.

Hapja e Prishtina Gastronomy Festival bëhet në ora 12:00.