20:30 / E Enjte, 15 Mars 2018 / indeksADMonline

Për dy muaj mbi 800 raste të thyerjeve të pronave private nga hajnat

Mbi 800 raste të vjedhjeve të pronave private apo shtëpive janë shënuar në dy muajt e parë të këtij viti.

Megjithatë ky numër sipas statistikave të Policisë së Kosovës ka shënuar një rënie për 6.06 për qind.

Dukuria e vjedhjeve të pronave private ka nisur të bëhet shqetësim edhe për sigurinë e qytetarëve të vendit, duke marrë rastin e fundit në fshatin Plloçicë të Malishevës, ku hajnat kanë lanë të vdekur vëllezër.

Ndërkaq në një përgjigje për Indeksonline nga zyra për informim e Policia e Kosovës, ka thënë se ky institucion me njësitet e saj vazhdimisht ka punuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore apo edhe përmes fushatave të ndryshme vetëdijesimi me qëllim parandalimi.

“Nga detyrat dhe autorizimet e përgjithshme të policisë që dalin nga Ligji për Policinë janë edhe mbrojtja e pronës dhe ofrimi i sigurisë së përgjithshme. Ne në kuadër te rajoneve dhe stacioneve policore përveç  zyrtarëve të rregullt patrullues kemi edhe njësitet e hetimeve të cilat merren me trajtimin respektivisht hetimin e rasteve te vjedhjeve duke përfshirë edhe vjedhjet e rënda të specifikuar sipas kodit penal të RKS-së”, thuhet në përgjigje.

Po sipas tyre për një ambient më të sigurt duhet që bashkëpunimi reciprok të jetë edhe me i madh, të ketë shkëmbim të informacioneve, raportim të drejtë dhe me kohë të rasteve dhe informatave.

“Bazuar në statistikat që dalin nga raporti vjetor i Policisë së Kosovës për vitet 2016/2017, lidhur me rastet e vjedhjeve, rezulton për një shkallë në rënie të rasteve të tilla. Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie nga 6105 në vitin 2016 në 5735 në vitin 2017. Po ashtu, numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie, nga 5601 në 5222 raste. Ndërsa, sa u përket të dhënave për dy muajt e parë të vitit 2018, në nivel vendi janë raportuar mbi 800 raste të vjedhjeve të gjësendeve të ndryshme”, thuhet për përgjigjen e Policisë së Kosovës. /Indeksonline/