Për dy muaj u vodhën tri tabela sinjalizuese në tri zona kufitare të Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se përgjatë muajve mars-prill, në zonat kufitare Brezne-Bardhoc, Restelice-Çajë dhe Gorozhub-Pogaj, janë vjedhur tabelat sinjalizuese për banorët e këtyre zonave.
Policia po ashtu bën të ditur se ende nuk kanë identifikuar personat e dyshuar.
Rasti i parë është raportuar në zonën Gorozhub-Pogaj. Dyshohet se tabelat sinjalizuese në këtë zonë u vjedhen mes 1 marsit dhe 25 prillit.
Rasti i dytë është raportuar mesditën e 22 prillit në zonën Brezne-Bardhoc.
Ndërkaq, i fundit rast raportohet të ketë ndodhur dje rreth orës 10:00.
Të tri këto raste janë duke u hetuar nga organet kompetente.