15:17 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Për herë të parë në QKUK, trajtohet infarkti në 24 orë të ditës

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka njoftuar se trajtimi i infarktit do të bëhet në 24 orë, në shtatë ditë të javës.

Ismaili ka thënë se më këtë do të ulën shpenzimet e qytetarëve pasi do të trajtohen të gjitha rastet në kohë, si dhe do të ndalët dërgimi i tyre jashtë QKUK-së, transmeton Indeksonline.

Ismaili ka thënë se vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 2 milionë euro për dërgim jashtë vendin për trajtimin e sëmundjeve, ndërsa sot do të trajohen në Kosovë,ku me ato para do të modernizohen klinikat.

Postimi i tij i plotë në facebook:

Trajtimi i infarktit, 24 orë në shtatë ditë të javës!

Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive do të nisin trajtimin e infarktit dhe stentimin emergjent, 24 orë në ditë, në shtatë ditë të javës.
Trajtimi i këtij problemi shëndetësor, ndër më të shpeshtit te qytetarët tanë, do të bëhet për herë të parë në QKUK në 24/7.

Duke i trajtuar rastet e tilla në çdo kohë, ne do t’i ulim shpenzimet e qytetarëve, do të ndalim dërgimin e tyre jashtë QKUK-së dhe, çfarë është më e rëndësishmja, do të përfitojmë në kohë që problemet e tyre të trajtohen menjëherë.

Në takimin punues që pata me stafin e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, pas përgatitjeve që kemi bërë, u morëm vesh që puna të nisë nga java tjetër.

Vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 2 milionë euro jashtë vendit për trajtimin e sëmundjeve të kësaj natyre. Sot, qytetarët tanë do t’i trajtojmë në Kosovë, kurse paratë do t’i përdorim për modernizimin e klinikave tona. #PërShëndetësinëQëDuam