Për të parën herë, në Shqipëri, burgje private për të dënuarit me më pak se 5 vjet heqje lirie
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Qeveria shqiptare ka vënë në zbatim planin për ngritjen e burgjeve private edhe në vendin tonë.
Nisur nga mbipopullimi i institucioneve të vuajtjes së dënimit, por dhe i problematikave të tjera të evidentuara në sistemin peniteciar, Qeveria ka miratuar në mbledhjen e së mërkurës Projektligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve.
Konkretisht ngritja e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale private parashikohet në nenin 15 të projektligjit të qeverisë, ku citohet se “institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë publike dhe private. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për funksionimin, administrimin, kontraktimin, si dhe rregullat që përcaktojnë elementet e sigurisë në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.”
Ndërsa në nenin 16 të këtij projektligji sanksionohet që në institucionet private nuk mund të vuajnë dënimin personat e dënuar me më shumë se 5 vite heqje lirie.
“Të dënuarit për të cilët është vendosur masa e dënimit deri në 5 vite burgim mund të vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale. Të dënuarit që me vendim gjykate janë caktuar në institucionin e sigurisë së lartë, nuk vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale”, thuhet në projektligjin e qeverisë.