75 Mall Live Search
17:14 / E Enjte, 21 Prill 2022 / MSH

Për herë të parë një grua fiton çmimin letrar ‘Kadare’

Me romanin “Pusulla të Verdha”, Vera Bekteshi bëhet e para grua që fiton çminin letrar “Kadare”.

Mes 22 pjesëmarrësve, 5 finalistëve dhe tri herë renditjes së saj në top listen e këtij çmimi, Bekteshi sjell një libër të fortë dhe emancipues.

Ky libër u kushtohet personave me aftësi ndryshe dhe sfidave të tyre në një shoqëri skematike.

‘Letërsia pa detaje nuk vlen’ e këshillonte dikur shkrimtari Ismail Kadare. Ishte kohë kur ajo i rrëfeu vendimin për të shkruar dhe ai e nxiti ta mbushte letërsinë e saj me hollësi, veçanërisht nga ato të jetuarat.

Këshillë që nuk e harroi as në botimin e librit të saj të gjashtë, që u shpall edhe fitues i edicionit të shtatë të Çmimit Kadare, çmimi letrar prestigjioz u nda nga Universiteti Europian i Tiranës, në një ceremoninë e zhvilluar pasditen e së mërkurës.

“Rrëfimi në vetë të parë, me një ndjenjë intimiteti dhe i lidhur me përjetimin personal të shkrimtares, e bën “Pusulla të Verdha”, një roman të veçantë”, u shpreh Budini ndërsa i ndau shkrimtares çmimin.

Libër të vështirë e cilësoi vetë shkrimtarja Vera Bekteshi romanin e saj më të ri, duke zbuluar se iu deshën katër vite ta sillte në jetë.

“Pusullat e Verdha”, ia kushtoj njeriut që njoh më shumë, që ka mbetur i dëlirë, megjithëse mbush 49 vjeç këtë pranverë”, u shpreh shkrimtarja në një dedikim për të birin Arturin.

“Doja të shkruaja një temë aktuale, me probleme të shkaktuara nga tranzicioni i vështirë që ende po vuajmë, që u shoqërua dhe shoqërohet nga plagë të ndryshme. Të flisja për një Dhimokle të ditëve tona, se sa të vështirë e ka të orientohet, krahasuar me të vjetrin të rrethuar vetëm me dashuri. Asokohe, qesëndisja apo bullizmi siç njihet sot, ishte i huaj, për arsye që nuk di t’i shpjegoj, ndoshta nga frika e regjimit”, shpjegoi Bekteshi.

E pranishme në akordimin e këtij çmimi ishte edhe bashkëshortja e Ismail Kadaresë, Elena, prania e së cilës shihej jo vetëm si një mbështetje për çmimin letrar që mban emrin e shkrimtarit të madh, por edhe si një inkurajim për një grua dhe një mike të vjetër.