Për pak ndodhi tragjedia, çon fëmijët në shkollë pa ditur se makina ishte me eksploziv
Një ngjarje e cila mund të kishte fund tragjik është shmangur mëngjesin e ditës së sotme në Rrëshen.
Në makinën e cila është në pronësi të Armando Gjinit, ishte vendosur një sasi eksplozivi.
Mësohet se lënda plasëse ishte vendosur në sedilje brenda makinës. Gjini rrëfen se ai e kishte parkuar makinën poshtë pallatit.
Po ashtu, ai e ka përdorur makinën për të dërguar fëmijë në shkollë pasi ishte shi, por pa e ditur se automjeti i tij kishte eksploziv dhe që mund të shpërthente nga momenti në moment.
Armando Gjini është shprehur se sasinë e eksplozivit ka mundur ta diktojë pakon me lëndën plasëse të llojit eksploziv, por me shumë vonesë, vetëm pasi dërgoi fëmijët në shkollë dhe po rikthehej për në banesë. Ai ka deklaruar para grupit hetimor se e diktoi pakon e çuditshme, pasi po e shqetësonte diçka në shpinë.
Pas mbërritjes së forcave xheniere, sasia e eksplozivit ka shpërthyer sapo është prekur. Ndërsa, nga shpërthimi i fuqishëm, makina është shkatërruar totalisht.
Ndërkohë, Armando Gjini ka deklaruar se nuk ka konflikte me asnjë person dhe nuk e ka idenë se kush mund ta ketë vendosur eksplozivin.
Lidhur me ngjarjen policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të pallatit, për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.