75 Mall Live Search
16:33 / E Hënë, 05 Tetor 2020 / indeksADMonline

Për parcelat e kanabisit ka filluar “vëlla-vrasja” në Malësinë e Madhe tre të zhdukur

Tre djem nga fshati Vrith i Malësisë së Madhe në Shkodër, janë zhdukur pa gjurmë që nga data 3 tetor. Vëllai i një prej të zhdukurve ka bërë denoncim për zhdukjen e tyre, një natë më parë, fill pas publikimit të ngjarjes së rëndë nga gazetari investigativ, Artan Hoxha. Në kallëzimin e tij në polici, ai ka deklaruar se i vëllai Vilson Çutaj është konfliktuar me dy kushërinjtë tij për një femër dhe që prej orës 15:00 të datës 3 tetor, të tre djemtë, kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre.

Vilson Pal Çutaj, banues në fshatin Bajzë, Klement Nush Pepaj dhe Danjel Rrok Pepaj, të dy banues në Vrith, janë larguar pa gjurmë dhe prej dy ditësh, familjarët e tyre nuk dinë asgjë për ta. Por ngjarja e ka zanafillën diku tjetër, që nuk përfshin aspak sherret banale për femra.

Mësohet se tre të rinjtë që janë zhdukur pa gjurmë, kanë qenë kultivues të rregullt të kanabisit në fshatin Vuç Shkurtaj të Malësisë së Madhe. Ata kanë pasur parcela me kanabis, por pavarësisht lidhjes së tyre familjare, janë përfshirë në një debat. Konkretisht, Vilsoni dhe Klementi pretendonin se Danieli u kishte vjedhur sasi kanabisi nga parcelat e tyre.

Ditën e krimit të rëndë, të dy, e thirrën në fshatin Bajzë Danjel Pepajn dhe e mbajtën peng për disa orë. Madje, dyshohet se ata e kanë rrahur atë për t’i dhënë një mësim, por më pas e kanë liruar. Në të njëjtën ditë, pasdite vonë, të tre protagonistët janë takuar sërish, për t’u sqaruar në një lokal të fshatit Vrith dhe aty kanë debatuar përsëri. Pas atij momenti, prej tyre nuk dihet më asgjë, por celularët që kanë pasur të rinjtë me vete, kanë lënë disa gjurmë.

Dyshohet se Danieli, për t’u hakmarrë për të rrahurën që i dhanë dy kushërinjtë e tij, ka vrarë Klement Pepajn dhe Vilson Çutajn, trupat e të cilëve i ka zhdukur në dy vende të ndryshme. Sipas lokacionit që tregonte celulari, një nga të dyshuarit si i vrarë, ishte në fshatin Bogë të Malësisë së Madhe, ndërsa tjetri në fshatin Razëm. Por pavarësisht kërkimeve, ata nuk janë gjetur dhe GPS nuk funksionon më për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve.

ë pas Danjel Pepaj është larguar drejt Malit të Zi. Denoncimi fillestar u bë nga gazetari investigativ Artan Hoxha. Përmes një statusi në rrjetet sociale, gazetari shkruante për një vrasje të trefishtë në fshatrat e Shkodrës. Sot, pothuajse 24 orë pas zhdukjes së tyre, erdhi dhe reagimi zyrtar i Policisë së Shtetit. Përmes një njoftimit, pa dhënë shumë detaje, se tre të rinjtë janë zhdukur.

Nga ana tjetër, në një prononcim për mediat, babai i Klementit kërkoi me këmbëngulje ndihmë nga shteti për gjetjen e trupave të dy të zhdukurve. Ai i bëri thirrje ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj që të mundësonte çdo lloj mjeti për kërkime. Përsa i përket sherrit për kanabisin, Nush Pepaj, babai i Klement Pepajt u shpreh se nën dijeninë e tij, i biri nuk ka pasur telashe të tilla. Ai shton se dyshimet kryesore i ka mbi Danielin, pasi banorët e fshatrave e kanë parë me armë në dorë dhe kanë dëgjuar krisma.