20:35 / E Shtunë, 04 Maj 2019 / indeksADMonline

Për të tretën herë ‘livrohet’ rruga e qendrës në Podujevë, në të do të punohet edhe një vit

Gurë, zhavorr, gropa e me pengesa të shumta tash e gjashtë muaj ballafaqohen qytetarët në rrugën e qendrës në Podujevë, “Zahir Pajaziti”. Për kaq pak muaj për të tretën herë në këtë rrugë janë duke u hapur kanale në të dyja anët e kësaj ane, e cila është edhe më e frekuentuara në qytetin e Podujevës,

Në këtë rrugë të cilën ka filluar zgjerimi i saj dhe parashihet të bëhet me tri korsi, kritika dhe akuza të shumta janë hedhur nga opozita në drejtim të Komunës së Podujevës për dinamikën e punimeve. E, ata që po e pësojnë më së shumti janë bizneset përkitazi në këtë rrugë.

Madje, shpeshherë krijohen edhe kolona të shumta të automjeteve. Duke mos përmendur këmbësorët që detyrohen të kalojnë në rrugë të destinuar për vetura.

Mirëpo, me këto probleme qytetarët do të ballafaqohen edhe këtë vit. Kjo, pasi që punimet parashihen të vazhdojnë deri në fund të 2019, me kosto rreth 1 milion e 150 mijë euro.

Për këshilltarët opozitarë në asamblenë komunale, punimet është dashur të kryen shumë kohë më parë. Arbër Blaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë për Llapi.info se ka neglizhencë në të gjithë këtë projekt, e që siç thotë ai, për arsye ‘larjen e disa borxheve’.

“Ajo se çfarë po ndodhë në rrugën “Zahir Pajaziti” nuk do shumë koment. Tash e disa muaj kanë nisur punimet për një projekt i cili nuk është dashur të merr kohë më shumë se 3-4 muaj. Këta e neglizhojnë për disa arsye të veta dhe për t’i larë disa borxhe nga fushata e kaluar. Të jem i sinqertë, bizneset në këtë rrugë janë duke pësuar më së shumti, pasi ata nuk mund të bëjnë shërbimin e tyre të mirë dhe cilësor shkaku i këtyre punimeve. Pastaj, në këtë rrugë është edhe shkolla e mesme, ku nxënësit kanë problem qarkullimin e tyre shkaku i këtyre punimeve”, ka thënë ai.

Sipas Blakut, e gjithë kjo neglizhencë vjen siç e quan ai, “për t’u inauguruar në kohë fushatë për pika politike”.

“Këtë e bëjnë, pasi që këtë rrugë edhe sheshin e qytetit mundohen ta neglizhojnë deri në prag të zgjedhjeve dhe të fitojnë poena politike. Për këto projekte, si duket tash pas 20 viteve qeverisje ju ka kujtuar që edhe qyteti është pjesë e Podujevës, ku dihet që në qytet investimet komunale thuajse janë zero”, ka thënë tutje Blaku.

Se që këto punime po krijojnë probleme dhe po stërzgjaten e thotë edhe Lëvizja Vetëvendosje në këtë Komunë. Vendenis Lahu nga kjo parti opozitare në Podujeva e ka quajtur papërgjegjësi e organeve komunale. Sipas tij, nga mosplanifikimi po bëhet hapja e kanaleve në trotuaret e kësaj pjese.

“Punimet në rrugën “Zahir Pajaziti”, duke e pasur parasysh se është rruga më e frekuentuar në qytetin tonë, do të duhej të ecnin me ritme të shpejta. Është shqetësues fakti se po punohet me ritme shumë të ngadalta dhe kjo po u shkakton telashe në lëvizje qytetarëve dhe nxënëseve. Neglizhenca e organeve komunale në përmbushjen e obligimeve të tyre në raport me qytetarët, po ashtu dëme të pakompensueshme po u shkakton bizneseve të vogla kur dihet se numri më i madh i këtyre bizneseve është i koncentruar ne këtë rrugë. Kjo është papërgjegjësi totale e organeve. Hapja e trotuareve për të tretën herë brenda një viti tregon se komuna jonë investimet i kryen pa kurrfarë planifikimi. Kjo të bënë të mendosh që investimet kryhen varësisht nga nevojat e operatoreve ekonomikë e jo nga nevojat e qytetarëve”, ka thënë Lahu.

Mirëpo, për të gjitha këto, drejtori i Urbanizmit në Podujevë, Hamdi Jaha, duke arsyetuar hapjen e kanaleve, ka thënë se kjo rrugë do të bëhet me të gjithë infrastrukturën nëntokësore.

“Është shumë reale se rruga ka me gjatësi 1.400 metra dhe ka me u ndërtuar me të gjithë infrastrukturën nëntokësore. Kjo do të thotë, kanalizim fekal, atmosferik, ujësjellës dhe energjinë elektrike. Secila e ka pjesën e vetë kah ka me u rrugëtuar, kështu që tash është në pjesën përfundimtare, ujësjellësi veç është në përfundim edhe duhet të përfundohet pjesa nëntokësore. Por, ende kemi punë se duhet me u mbyllë rruga në fillim të javës së ardhshme se tash kemi depoti të pjesës energjetike nga një kah në kahun tjetër dhe ujësjellësi po ashtu. Janë gjasat që me u mbyllë javën e ardhme rruga nga ‘Interexi’ deri te ‘Hotel Besiana’”, ka thënë Jaha.

Drejtori Jaha ka potencuar se një pjesë e kësaj rruge do të mbyllet, pasi që sipas tij, do të bëhen kanalet në mes të saj.

“Punimet janë deri në fund të vitit, por besojmë që do t’i kryejmë më shpejtë. Pra, do të kemi depërtime nga ana e djathtë tek ana e majtë, kanë me u hap gypat me u lidh energjia elektrike si dhe ujësjellësi. Do të kemi kanale edhe në mes të rrugës për këtë arsye edhe do të mbyllet rruga dhe do të hiqet komplet asfalti për t’u bërë kanalet dhe do të vendosen sistemet e ujit, energjetike dhe zgjerimi i rrugës. Kostoja për këtë është 1 milion 145 mijë euro”, ka përfunduar Jaha.

Ndryshe, po ashtu në këtë rrugë e cila pritet të bëhet bulevardi i cili ka dështuar dy herë, është shkatërruar asfalti i cili ishte shtruar pak para zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në Kosovë.