Përballja me Liverpulin, Manchester United nuk di për fitore në ”Anfield” për një dekadë

E diela e 19 tetorit e rikthen në skenë derbin – ndoshta më të madhin në elitën e futbollit anglez.
Liverpooli do t’i bëjë konak Unitedit, me ndeshjen që nis nga ora 17:30 dhe luhet në “Anfield”.
Në këtë stadium, Unitedi është pa fitore që dhjetë vjet.
Më poshtë e keni çdo ndeshje të luajtur në “Anfield” që nga ajo kohë.
17 janar 2016: Liverpool 0-1 United
Fitorja e vetme e Manchester Unitedit gjatë dekadës së fundit ndaj Liverpoolit erdhi kur goditja me kokë e Marouane Fellainit pas krosimit të Juan Matas u përplas në traversë dhe Wayne Rooney shënoi në minutën e 78-të.
Fitorja e ngjiti skuadrën e Louis van Gaal në vendin e pestë, ndërsa ajo e Jürgen Klopp ra në të nëntin.
Megjithatë, në verë, holandezi u shkarkua pavarësisht triumfit në finalen e Kupës FA, pasi Unitedi përfundoi i pesti, duke humbur vendin e katërt vetëm për shkak të golaverazhit.
Në qershor, Klopp – që kishte udhëhequr Liverpoolin drejt vendit të tetë në gjysmën e parë të sezonit të tij të parë – nënshkroi kontratë të re gjashtëvjeçare.
“Udhëheqja e tij do të jetë thelbësore për gjithçka që shpresojmë të arrijmë,” tha klubi.
14 tetor 2016: Liverpool 0-0 United
José Mourinho, pasuesi i Van Gaalit, e menaxhoi ndeshjen me stilin e tij klasik mbrojtës: Ander Herrera neutralizoi Roberto Firminon dhe Philippe Coutinhon, ndërsa David de Gea bëri dy pritje vendimtare në pjesën e dytë. United mbajti vetëm 35% të posedimit – më e ulëta në historinë e klubit që kur mbahen statistika – dhe Mourinho tha: “Ndoshta ishte ‘Anfield’ më i qetë që kam përjetuar”.
Klopp komentoi: “Askush nuk do ta kujtojë këtë ndeshje pas 10 apo 20 vitesh, por mund të kishim luajtur më mirë.” Liverpool përfundoi sezoni i katërt, United i gjashti.
14 tetor 2017: Liverpool 0-0 United
Një vit më pas, De Gea u bë hero sërish, duke ndalur 19 goditje të Liverpoolit, përfshirë një pritje mahnitëse ndaj Joël Matip. Pas një tjetër barazimi në “Anfield”, Klopp u shpreh i zemëruar: “Jam i sigurt që nëse do të luanim kështu në Liverpool, nuk do ta pranonin. Për United duket në rregull. Ata erdhën për një pikë dhe e morën. Ne donim tre dhe nuk i morëm.”
United përfundoi i dyti me 81 pikë – një nga arritjet më të mira të Mourinhos sipas tij – ndërsa Liverpool i katërti.
16 dhjetor 2018: Liverpool 3-1 United
Humbja që solli shkarkimin e Mourinhos erdhi nga Xherdan Shaqiri, që hyri në minutën e 70-të me rezultatin 1-1 dhe shënoi dy gola për t’i dhënë Liverpoolit fitoren 3-1. Klopp tha: “Jam në qiell nga performanca. Djemtë luajtën në mënyrë të jashtëzakonshme.” Mourinho u shpreh: “Skuadra më e fortë fitoi, por vetëm në një periudhë kur nuk ishte më e fortë se ne.”
Pas 17 ndeshjeve, United ishte në vendin e gjashtë me 26 pikë, 19 prapa Liverpoolit. Dy ditë më vonë, Mourinho u shkarkua dhe u zëvendësua nga Ole Gunnar Solskjær, që e përfundoi sezonin i gjashti, ndërsa Liverpool, me 97 pikë, mbeti i dyti pas Cityt (98).
19 janar 2020: Liverpool 2-0 United
Më pas, Virgil van Dijk dhe Mohamed Salah shënuan në një fitore që e çoi Liverpoolin 26 pikë përpara Cityt, në rrugën drejt titullit të parë pas 30 vitesh. Ishte vizita e parë e Solskjærit në “Anfield” si trajner i United, me një formacion që përfshinte Harry Maguire (atëherë mbrojtësi më i shtrenjtë në botë), Daniel James, Andreas Pereira dhe Brandon Williams. Klopp tha: “Nëse tifozët tanë nuk janë në humor të mirë tani, atëherë diçka nuk shkon.” United ishte 30 pikë prapa Liverpoolit dhe e mbylli sezonin (të ndërprerë nga Covid) në vendin e tretë.
17 janar 2021: Liverpool 0-0 United
Në janar 2021, United mbërriti në “Anfield” si lider i Premier League me 36 pikë, një më shumë se Leicesteri dhe tre më shumë se Liverpooli. Megjithatë, ndeshja përfundoi me një tjetër 0-0 – e treta që nga viti 2016. Klopp luajti me Henderson dhe Fabinho si qendërmbrojtës për shkak dëmtimesh, dhe Alisson ishte hero i portës, duke ndalur Bruno Fernandes dhe Paul Pogba. Klopp tha: “Performanca ishte e mjaftueshme për fitore, por për të fituar duhet të shënosh.” Solskjær tha: “Jam i zhgënjyer, por një pikë është e mirë nëse fiton tjetrën.” Ata fituan 2-1 ndaj Fulhamit, por më pas humbën në shtëpi ndaj Sheffield United dhe përfunduan të dytët, 12 pikë pas Cityt.
19 prill 2022: Liverpool 4-0 United
Më pas erdhi katastrofa e Ralf Rangnick – një humbje e rëndë në “Anfield” pas fitores 5-0 të Liverpoolit në “Old Trafford” disa muaj më parë. Tre ditë më vonë, Erik ten Hag u konfirmua zyrtarisht si pasues i Solskjærit. Cristiano Ronaldo mungoi për shkak të vdekjes së djalit të porsalindur, ndërsa Phil Jones bëri vetëm startin e dytë në Premier League pas dy vitesh. Luis Díaz, Salah (dy gola) dhe Mané ishin autorët. United e mbylli sezonin i gjashti me 58 pikë; Liverpool i dyti me 92, vetëm një prapa Cityt.
5 mars 2023: Liverpool 7-0 United
Kur Ten Hag shpjegoi se si e kishte mposhtur Liverpoolin 2-1 në ndeshjen e kthimit – “sepse ata dinë të luajnë futboll të mallkuar mirë” – fjalët iu kthyen në bumerang pas humbjes turpëruese 7-0, me Cody Gakpo, Darwin Núñez dhe Salah që shënuan nga dy herë, ndërsa Roberto Firmino vulosi rezultatin. Klopp tha: “Fillimi ishte super-dominues dhe fleksibël. Kishim shumë momente të mrekullueshme.” Ten Hag tha shkurt: “Një paraqitje shumë joprofesionale. Nuk bëmë punën tonë.” Megjithatë, United përfundoi i treti, Liverpool i pesti.
17 dhjetor 2023: Liverpool 0-0 United
Një tjetër 0-0 u luajt në “Anfield”, me Diogo Dalot që mori të kuq pas dy kundërshtimesh. Ishte një ndeshje historike me 57,158 tifozë – pjesëmarrja më e madhe që nga viti 1963, pas hapjes së tribunës së re “Anfield Road Stand”. Për United dhe Ten Hag ishte një lehtësim pas turpërimit të sezonit të mëparshëm, por deri në tetorin e ardhshëm, holandezi u shkarkua. Liverpool e mbylli sezonin i treti, një pikë pas Arsenalit, ndërsa United përfundoi i teti.
5 janar 2025: Liverpool 2-2 United
Në ndeshjen e parë të Rúben Amorim si trajner i United në “Anfield”, skuadra e tij dha ndoshta paraqitjen më të mirë të epokës së tij të luhatshme. Në pjesën e dytë, Lisandro Martínez kaloi Unitedin në epërsi, Cody Gakpo barazoi, më pas një penallti e Salah i dha avantazhin Arne Slotit për Liverpoolin, përpara se Amad Diallo të barazonte sërish. Barazimi i shmangu Unitedit humbjen e katërt radhazi në kampionat – diçka që nuk kishte ndodhur që nga viti 1979.
Amorim tha: “Jam i lumtur me performancën, por jo me rezultatin. Jam shumë i zemëruar me ndeshjet e tjera.” Slot shtoi: “Në fund mund ta kishim humbur pas rastit të Maguire.”
Liverpool përfundoi kampion në sezonin e parë të Slot, duke u barazuar me United në 20 tituj kampion, ndërsa United përfundoi në vendin e 15-të – më i ulëti në historinë e klubit.