08:30 / E Mërkurë, 08 Nëntor 2023 / MSH

“Përçarje” në kampin e United, Ten Hag përjashton lojtarin edhe nga grupi i WhatsApp

Jadon Sancho, gjithnjë e më shumë po izolohet te Manchester United.

Ish-lojtari i Borussias së Dortmundit, të cilit gjithashtu iu ndalua hyrja në ambientet e Carrington, sipas medias angleze, u hoq nga grupi WhatsApp që përdorte trajneri Erik Ten Hag për të komunikuar me lojtarët.

Një situatë që e shtyn gjithnjë e më shumë Sançon drejt largimit në janar. Hipotezë është rikthimi te Borussia. Javët e fundit shtypi gjerman zbuloi se kontaktet me trajnerin Edin Terzic janë të vazhdueshme.

Përçarja midis Sanchos dhe holandezit Ten Hag erdhi pas humbjes 3-1 të United ndaj Arsenalit në fillim të shtatorit. Trajneri holandez tha se e kishte përjashtuar lojtarin për shkak të mungesës së impenjimit në stërvitje.

23-vjeçari anglez, përmes rrjeteve sociale, është përgjigjur se prej kohësh ndihej i trajtuar si “kokë turku”. Që atëherë Sancho nuk është më në fushë. Ten Hag do të ishte i gatshëm ta merrte sërish në konsideratë vetëm nëse do të kërkonte falje para skuadrës, por lojtari nuk pranon të ulë kokën.