23:44 / E Diele, 22 Nëntor 2020 / Blerim

Përdorimi i transportit ajror dhe tokësor, pësoi ulje drastike këtë vit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka përgatitur publikimin me të dhëna për Transportin Rrugor, Hekurudhor, Ajror dhe Telekomunikimin. Ky publikim statistikor paraqet të dhëna statistikore me bazë vjetore nga viti 2011 deri në vitin 2019 për mjetet motorike dhe jo motorike, si dhe për rrugët e Kosovës, kurse të dhënat statistikore me bazë tremujore janë nga viti 2011 deri në tremujorin e tretë të vitit 2020 për transportin ajror, hekurudhor dhe telekomunikimin.

Në territorin e Kosovës kemi gjithsej 333 km binar hekurudhor për transport. Në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë gjithsej 9 lokomotiva, prej tyre shtatë Disell dhe dy trena motorik. Lokomotivat bartin 10 vagonë për udhëtarë dhe 1420 vagonë për mallra, transmeton IndeksOnline.

Sipas këtij hulumtimi, në tremujorin e tretë të vitit 2020, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është rreth 15 mijë, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, numri i pasagjerëve është zvogëluar për 48.97 % . Transporti i mallrave me tren në tremujorin e tretë të vitit 2020 është rreth 16 mijë ton, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019 kemi ulje për 86.12 % .

Ndërsa,numri i fluturimeve në tremujorin e tretë të vitit 2020 është 1,212 në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2019) kemi ulje për 58 % .

E, numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti është rreth 275 mijë, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2019) kemi ulje për 64.85 %.