75 Mall Live Search
09:05 / E Premte, 01 Gusht 2025 / H F

Perëndimi në alarm, SHBA-ja, Britania, Franca dhe aleatët akuzojnë Iranin për komplote vrasjesh dhe rrëmbimesh

Shtetet e Bashkuara dhe shumë nga aleatët e tyre në NATO, si edhe Austria, po e akuzojnë Iranin për një numër në rritje të kërcënimeve të inteligjencës, duke përfshirë një rritje të komploteve për rrëmbime dhe vrasje, në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut.

“Jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve të inteligjencës iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe ngacmuar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të lëshuar të enjten, përcjell A2 CNN.

“Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizatat kriminale ndërkombëtare për të synuar gazetarët, disidentët, qytetarët hebrenj dhe zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm në Evropë dhe Amerikën e Veriut”, vuri në dukje raporti.

Deklarata u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe 11 aleatë të tjerë të NATO-s, përfshirë Shqipërinë, Belgjikën, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Republikën Çeke, Danimarkën, Finlandën, Gjermaninë, Holandën, Spanjën dhe Suedinë. A2 CNN-i raporton se pjesë e këtij nënshkrimi është edhe Austria, e cila nuk është anëtare e NATO-s, por ndodhet selia e mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së.

Ndërsa deklarata nuk tregonte ndonjë incident specifik, nënshkruesit i bënin thirrje Iranit “që t’u japë fund menjëherë aktiviteteve të tilla të paligjshme në territoret e tyre përkatëse”, shkruan A2 CNN-si.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë paralajmëruar më parë për komplote të mbështetura nga Teherani në tokën e tyre. Vetëm muajin e kaluar, Komiteti i Inteligjencës i Mbretërisë së Bashkuar raportoi 15 përpjekje për vrasje dhe rrëmbim kundër qytetarëve dhe banorëve të saj midis janarit 2022 dhe gushtit 2023.

Ambasada e Iranit në Londër i kishte mohuar akuzat, duke i quajtur ato “të pabaza, të motivuara politikisht dhe armiqësore”.

“Akuza të tilla nuk janë vetëm shpifëse, por edhe të rrezikshme, duke nxitur tensione të panevojshme dhe duke minuar normat diplomatike”, tha ambasada në një deklaratë. (A2 Televizion)