Përfaqësuesi i reprezentacionit të Kosovës në atletikë merr kërcënime nga policia gjatë stërvitjes
Astrit Kryeziu, përfaqësues i reprezentacionit të Kosovës në Atletikë përmes një postimi në Facebook ka thënë se gjatë ditës së sotme ka marrë kërcënime nga një qytetar gjatë seancës stërvitore, e më pas edhe nga policia.
Ai tha se ka njoftuar policinë e qe këta të fundit ia kanë ndaluar procesin stërvitor dhe e kanë kërcënuar në të njëjtën mënyrë.
I kontaktuar nga Indeksonline Astrit Kryeziu tregoi më hollësisht për rastin.
“Unë si sportist profesionist gjatë seancës stërvitore në stadiumin e qytetit “Agush Isufi” në Kamenicë jam penguar nga një qytetar i rëndomtë. Ne si sportist dhe si klube kemi leje nga ana e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të hyjmë në stadion dhe t’i kryejmë me rregull stërvitjet, mirëpo në atë kohë vijnë disa fëmijë të moshës 12-15 vjeç dhe kërkojnë që përmes dyerve te mbyllura te futen ne stadion” – thekson Kryeziu.
Ai i ka paralajmëruar që nuk u lejohet hyrja dhe duhet të marrin leje, mirëpo ata kanë ardhur më vonë me një person të afërm të tyre i cili futet pa leje në ambientet e stadiumit.
“Ai i ka kaluar dyert e mbyllura dhe ka hyrë pa leje ku ka filluar të bërtasë e kërcënojë ku shumë afër ishte edhe të më godiste” – tha për Indeksonline Astrit Kryeziu.
Personi në fjalë më pas ka njoftuar policinë të cilët për çudi ia ndërprenë aktivitetin Kryeziut me pretekstin se nuk guxon ta ndalojë të hyjë askënd në stadium.
Madje, njëri nga policët i jep edhe një kërcënim Kryezit.
“Kur policia erdhi më penguan dhe më ndaluan aktivitetin. Unë si një sportist profesionist me sjellje sportisti iu them se stadiumi është i mbyllur dhe se unë e kam lejen dhe çelësin e objektit, por ata nuk i marrin parasysh dhe madje njëri nga ta më kërcënoi se nëse i ndalon prapë këta fëmijë do të kesh punë me mua” – u shpreh Astrit Kryeziu për Indeksonline.
Kryeziu është përfaqësues i reprezentacionit të Kosovës në atletikë si dhe për 3 vite ka qenë përfaqësues i reprezentacionit të Shqipërisë./Indeksonline/
