75 Mall Live Search
14:29 / E Enjte, 22 Maj 2025 / MSH

Përfaqësuesit e OSBE-së dhe udhëheqësit e kryeprokurorisë diskutojnë për rikthimin e aseteve

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit Besim Kelmendi, së bashku me udhëheqësin e Zyrës për rikthimin e aseteve, njëherësh dhe prokuror në Zyrën e kryeprokurorit të shtetit, Bahri Hyseni, pritën në takim ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Alban Sutaj, si dhe shefin e Sektorit kundër krimit të organizuar pranë Departamentit për Rend dhe Siguri Publike të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Giovannio Di Persio dhe Senad Shajkovci, asistent i programit në atë sektor.

Në këtë takim u diskutua rreth ngrirjes, sekuestrimit dhe konfiskimit, si edhe rikthimit të aseteve te sekuestruara dhe konfiskuara, me fokus të veçantë ngrirjen e pasurisë së fituar më vepër penale, si edhe shitjen apo shfrytëzimin e kësaj pasurie komform dispozitave ligjore.

“Zyrtarët e OSBE-së ofruan mbështetjen e tyre lidhur më organizimin e punëtorive dhe aktiviteteve tjera për të mbështetur prokurorët në zbatimin sa më të mirë të dispozitave ligjore, në mënyrë që të mos ndodhë dëmtimi i buxhetit të shtetit dhe palëve në procedurë penale.

Ushtruesi i detyrës i kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi dhe udhëheqësi i Zyrës për Rikthim të Aseteve, Bahri Hyseni, falënderuan mysafirët dhe u zotuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin, në të mirë të zbatimit sa më efektiv dhe sa më të drejtë të dispozitave ligjore, në raport me ngrirjen, sekuestrimin, konfiskimin dhe rikthimin e aseteve të fituara më vepër penale”, thuhet në njoftim të kryeprokurorisë.