11:48 / E Enjte, 09 Korrik 2020 / C E

Përfaqësuesja A e Femrave, do të marrë pjesë në garat zyrtare të FIBA-s

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka marrë vendimin për paraqitjen e Përfaqësueses A të Femrave në garat zyrtare të FIBA-s, më saktësisht në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 qershor.

Vendimi është marrë pasi është diskutuar më parë në bord dhe pas analizave të bëra për Përfaqësueset e Kosovës në konkurrencën e femrave ndërmjet kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu, sekretares së përgjithshme, Elvira Dushku dhe drejtorit të përfaqësueseve, Granit Rugova.

Federata e Basketbollit e Kosovës zotohet se do t’i bëjë të gjitha përgatitjet e duhura për paraqitje sa më të mirë të Përfaqësueses sonë në garat e FIBA-s, ku për vashat tona seniore do të jetë hera e parë që do të marrin pjesë në një garë zyrtare të FIBA-s.

Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së, me këtë rast u shpreh se vashat tona do të kenë mundësi të përfaqësojnë vendin sa më denjësisht në garat ndërkombëtare.

“Jemi shumë të lumtur që pas shumë diskutimeve dhe analizave, Bordi i FBK-së ka vendosur që Kosova A (femrat) të paraqitet zyrtarisht në garat ndërkombëtare. Kjo është hera e parë që vashat e Kosovës në kategorinë e senioreve do të luajnë në garat ndërkombëtare të organizuara nga FIBA. Ky vendim është shumë i mirëseardhur dhe njëkohësisht shumë i rëndësishëm, pasi vashat tona do të kenë mundësi të përfaqësojnë vendin sa më denjësisht në garat ndërkombëtare. Më herët këtë privilegj nuk e kanë pasur shumë lojtare që kanë luajtur me dekada të tëra. Ne mund të formojmë një ekip të mirë te Kosova A (femrat), duke kombinuar lojtaret që kanë përvojë, por edhe ato më të reja, që premtojnë shumë për të ardhmen. Gjithashtu presim mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por edhe sponsorët e ndryshëm, pasi kemi nevojë për përkrahje, që të kemi një përfaqësim sa më të mirë në garat ndërkombëtare. Besoj se, do të kemi përkrahje edhe nga komuniteti i basketbollit, për shkak se, do të debutojmë zyrtarisht në arenën ndërkombëtare dhe ky është një hap i madh për basketbollin e femrave në Kosovë”.