16:18 / E Martë, 24 Nëntor 2020 / k.v

Përfaqësuesja e UNDP-së dhe Ministri i MPMS-së takojnë përfituesit e mshtetur në hapjen e bizneseve

Maria Suokko, përfaqësuese e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë dhe Skender Reçica, Ministri i Punës e Mirëqenies Sociale, takuan sot disa përfitues të Programit të Vetëpunësimit, të cilët UNDP dhe MPMS i kanë mbështetur këtë vit në hapjen e bizneseve të tyre.

Këta përfitues sot pranuan pajisjet e nevojshme për të nisur punën në bizneset e tyre të sapo themeluar.

Përfaqësuesja e UNDP-së, Maria Suokko tha se UNDP mbetet e përkushtuar për të mbështetur punëkërkuesit në Kosovë, nëpërmjet krijimit të më shumë mundësive për punësim me fokus të veçantë në grupet e margjinalizuara si dhe të rinjtë dhe të rejat.

“UNDP ka rritur mbështetjen për punëkërkuesit, posaçërisht pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, për të ndihmuar familjet në Kosovë që të përballen dhe tejkalojnë ndikimet e krizës”, tha Suokko.

Ministri i MPMS-së, Skender Reçica tha se objektiv kyç i dikasterit që drejton është të qenurit afër punëkërkuesve, nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të mbështetje për ta në punësimi të qëndrueshëm dhe duke i ndihmuar në hapjen e bizneseve të tyre.

“Jam shumë i lumtur që në këtë kohë të përballjes me pandeminë COVID-19 dhe vështirësitë që po sjellë ajo në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve, kemi arritur të mbështesim qindra qytetarë që të bëhen pjesë e tregut të punës me anë të bizneseve të tyre”, tha Reçica.